Bashkimi Evropian njoftoi më 5 gusht për pezullimin e tarifave hakmarrëse ndaj mallrave amerikane në vlerë prej 93 miliardë eurosh, pasi Brukseli arriti një marrëveshje me Uashingtonin muajin e kaluar.
“Komisioni Evropian ka miratuar sot procedurat e nevojshme ligjore për të pezulluar zbatimin e kundërmasave tona, të cilat pritej të hynin në fuqi më 7 gusht”, tha zëdhënësi për tregti i BE-së, Olof Gill.
Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për politikat tregtare të bllokut prej 27 shtetesh, kishte përgatitur një listë me mallra amerikane që do të goditeshin me tarifa nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara nuk do të rezultonin me marrëveshje.
Kundërmasat e BE-së kishin në shënjestër një sërë eksportesh amerikane, nga soja deri tek aeroplanët, makinat e uiski.
Por, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, arriti një marrëveshje kornizë me presidentin amerikan, Donald Trump, më 27 korrik, teksa afati i 1 gushtit për vendosjen e tarifave të larta po afrohej.
Pas arritjes së marrëveshjes, eksportet e BE-së pritet të përballen me tarifa gjithëpërfshirëse prej 15 për qind që nga data 8 gusht – më të larta se taksat doganore para se Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por më të ulëta se tarifat prej 30 për qind, që presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të vendoste./RadioEvropaeLirë