Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, po konsiderojnë sanksione të reja kundër Rusisë dhe më shumë ndihmë për ushtrinë e Ukrainës, ndërsa Shtetet e Bashkuara po premtojnë mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën mes sulmeve ajrore ruse.
Paketa e propozuar e BE-së që po diskutohet në Bruksel do të sigurojë rreth 2.1 miliardë dollarë për të financuar dërgesat e armëve për Ukrainën.
BE-ja ka vendosur tashmë tetë raunde sanksionesh në përgjigje të pushtimit rus që filloi në shkurt të vitit 2022, shkruan VOA.
Një raund i nëntë do të përfshijë zyrtarë qeveritarë, si dhe industritë e mbrojtjes dhe bankave të Rusisë.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden “ripohoi angazhimin e SHBA-së për të vazhduar t’i ofrojë Ukrainës ndihmë sigurie, ekonomike dhe humanitare, duke e mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj të luftës dhe mizoritë dhe duke i vendosur kosto Rusisë për agresionin e saj”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, pas bisedës së tij me Zelenskyy, ka thënë se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e vendit të tij “për aq kohë sa duhet për të rifituar plotësisht sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”.
Macron theksoi një konferencë që Franca po pret të martën për të organizuar ndihmë për të ndihmuar Ukrainën “përgjatë dimrit”.
Rrjeti i energjisë
Zelenskyy në fjalimin e tij, të dielën ka thënë se ekuipazhet kishin arritur të rivendosnin pjesërisht shërbimin e energjisë në qytetin jugor të Odesa-s, ku sulmet ruse të shtunën goditën dy termocentrale dhe ndërprenë energjinë për rreth 1.5 milionë njerëz.
Udhëheqësi ukrainas shtoi se puna e restaurimit ishte duke vazhduar në zona të tjera të rajonit, por se Odesa ishte më e goditura.
Që nga tetori, Rusia ka vënë në shënjestër rrjetin elektrik të Ukrainës. Zelenskyy thotë se sulmet janë krime lufte që synojnë jetën civile, ndërsa Moska thotë se ato janë ushtarakisht legjitime.