Bislimi: Ka nevojë për një takim shtesë për dinarin

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Gjatë 25 marsit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar për propozimet e tyre për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua për pagesa në Kosovë që nga 1 shkurti.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Kosova ka paraqitur dy propozime, por nuk dëshiroi që të shpalosë detaje.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”, tha Bislimi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.

Kryenegociatori i Kosovës tha se gjatë takimeve diskutuan se cili është modaliteti më i mirë për të siguruar që Serbia të mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për qytetarët e Kosovës me kombësi serbe, që do të ishin në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për transferet e parave të gatshme.

“Të dyja palët dorëzuan të premten [22 mars] dhe sot ne i prezantuam ato dhe diskutuam për to”, tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ende nuk është deklaruar për media pas përfundimit të rundit të dialogut.

Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re./REL

Shija e redaktorit

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

UEFA publikon oraret e play-off-it të Botërorit 2026: Kosova dhe...

UEFA ka zyrtarizuar oraret e gjysmëfinaleve të play-off-it për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohen më 26 mars 2026 në orën 20:45. Si...

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Të fundit nga rubrika