Bislimi: Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi është domosdoshmëri

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi nuk është vetëm nevojë, por “edhe domosdoshmëri”.

Ai më 13 gusht u takua me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Në takim, sipas njoftimit të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, u diskutua për “politikat diskriminuese e shtypëse të Serbisë” ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

“U bisedua edhe për gjendjen e shqiptarëve në Sanxhak, ku prioritet mbetet çështja e ruajtjes dhe kultivimit të identitetit shqiptar”, u tha në njoftim.

Bislimi tha se ekzekutivi kosovar do të vazhdojë mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – komuna në jug të Serbisë, ku jetojnë shqiptarë, që njihen me termin Lugina e Preshevës – por edhe në Sanxhak, me qëllim, që siç tha, “të ruhet kultura e identiteti, por edhe për të rritur mbështetjen për programe konform nevojave të komunitetit shqiptar atje”.

Qeveria e Kosovës ofron mbështetje financiare shqiptarët në Luginë. Në qershor, ekzekutivi kosovar ndau 626.400 euro për mbështetjen e arsimit dhe lobimit institucional për shqiptarët në Luginë, përfshirë bursa për studentë, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese e avokuese në nivel ndërkombëtar.

Ndërkaq, në korrik u ndanë 580 mijë euro për bashkëfinancimin e ndërtimit të një shkolle të muzikës dhe muzeut në Preshevë.

Vitin e kaluar, Bislimi kishte akuzuar Serbinë se po përpiqet të ndalë mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Serbi.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës vazhdimisht ankohen se shteti serb ua shkel të drejtat dhe i diskriminon.

Shqiptarët në Serbi ankohen se autoritetet në këtë shtet nuk ua njohin diplomat e Kosovës, kërkojnë integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Zyrtarët serbë i kanë hedhur poshtë akuzat.

Një problem që është ngritur vazhdimisht viteve të fundit nga shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë në Serbi është pasivizimi i adresave.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022./REL

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika