Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian, ku u njohën së afërmi me “White Book 2023”.
Bislimi ka thënë se rekomandimet e këtij publikimi do të shërbejnë si udhërrëfyes për të parë se në cilat fusha mund të bëhet edhe më shumë.
“Kosova ofron ambjent atraktiv të të bërit biznes, dhe lehtësira e masa incentivuese. Hapa të rëndësishme janë bërë për lehtësimin e ambientit të të bërit biznes si mbajtja e normës së njëjtë të tatimit për koorporata por edhe të punësuarit, në të njëjtën kohë kur të hyrat buxhetore nga këto tatime janë rritur”, ka shkruar Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se përmes reformës thelbësore të zvogëlimit të barrës administrative, ne po zvogëlojmë e thjeshtësojmë shumicën e procedurave për dhënien apo marrjen e licensave, si dhe një pjesë e madhe e shërbimeve publike adresuar komunitetit të biznesit, tashmë në formë të thjeshtësuar mund të qasen në formë elektronike.
“Themelimi i Gjykatës Komerciale e cila mundëson trajtimin më të shpejtë të mosmarrëveshjeve ndërmjet bizneseve është një tjetër aspekt pozitiv e që në raportet e mëhershme ka qenë ndër shqetësimet më të mëdha. Aktualisht, Kosova është në negociata të vazhdueshme dhe për Planin e Rritjes, përmes të cilit planifikojmë të kemi akses në rreth 950 milionë euro të BE-së, ku pjesa më e madhe janë kredi të buta e që do përdoren tutje për projekte investive. Kjo është me interes edhe për komunitetin e biznesit e sidomos për investitorët e huaj”, ka shkruar tutje Bislimi.
Sipas tij, Qeveria po angazhohet maksimalisht që rritja ekonomike e regjistruar të jetë e qëndrueshme, e, po ashtu, të ketë shpërndarje në mënyrë të barabartë te të gjithë qytetarët e vendit e akterët e shoqërisë.