Një sulm me raketa ruse ka shkatërruar shtëpi dhe infrastrukturë civile në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv, thonë zyrtarët lokalë, transmeton BBC.
Të paktën tre civilë u raportuan të plagosur në qytetin pranë Detit të Zi, i cili është bombarduar vazhdimisht nga forcat ruse. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës postoi foto të zjarrfikësve në vendngjarje pas sulmit me raketa.
Të dielën në mëngjes, një zjarr masiv në një depo nafte shpërtheu pranë vendpushimit rus në Detin e Zi, Sochi, për të cilin autoritetet ruse fajësuan një sulm me dron ukrainas. Aeroporti i Soçit në të njëjtën zonë – distrikti Adler – pezulloi fluturimet.
Guvernatori i Rajonit të Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, tha në Telegram se mbeturinat e dronit kishin goditur një rezervuar karburanti dhe 127 zjarrfikës po merreshin me shuarjen e flakëve.
Siç transmeton BBC, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për sanksione më të forta ndërkombëtare ndaj Rusisë këtë javë, pas një sulmi vdekjeprurës në Kiev të enjten që vrau të paktën 31 persona.
Më shumë se 300 dronë dhe tetë raketa lundrimi u lëshuan në sulm, thanë zyrtarët ukrainas, duke e bërë sulmin një nga më vdekjeprurësit në kryeqytet që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.