Kur përmendet Tony Bennet, të bie ndërmend një zë që s’ka të dytë si ai, nuk të ngjan me askënd.
I shoqëruar në violina, është Bennett ai që me vokalin e tij përcjell një ngrohtësi të ngjashme me ato meloditë që të bëjnë të ndihesh mirë. Nga ato që të bëjnë të udhëtosh pa qenë nevoja të lëvizësh këmbët.
Jo më ndryshe të ka bërë të ndihesh edhe Lady Gaga. Dy ikonat na dhuruan me vite bashkëpunime të tyre deri në vdekjen e Bennet, të premten.
Një miqësi e afërt dukej qartë kur Bennet dhe Gaga shfaqeshin bashkë. Një nga ato ikoniket që kur përmendet njëri të kujtohet edhe tjetri.
Ata u bënë bashkëpunëtorë të ngushtë duke arritur të krijonin dy albume së bashku, “Cheek to Cheek” të 2014-ës dhe “Love for Sale” të vitit 2021.
Dy dhuratat për publikun iu sollën një Grammy për albumin më të mirë vokal tradicional pop, shkruan BBC.
“Toni është një nga njerëzit e mi më të preferuar në të gjithë planetin, dhe unë e dua atë me gjithë zemër,” tha Gaga në Zoe Ball të BBC Radio 2 në 2021. “Nuk mund t’ju them se sa shumë kam mësuar prej tij dhe si është të këndosh me një legjendë për kaq shumë vite.”
Bennett, i cili shpesh i referohej Gagës si “Zonja”, vlerësoi gjithashtu talentin dhe miqësinë e saj ndër vite. Të qenët ekstravagante ishte një ndër elementet që Bennet adhuronte për Gagan.
“Kur nisëm bashkëpunimet me Tonin, ai nuk më tha, ‘Duhet të heqësh të gjitha veshjet e çmendura dhe thjesht të këndosh’”, tha ajo për Parade në 2014. “Ai tha, ‘Bëhu vetvetja’”.
Në vitin 2011, Gaga performoi një këngë të Nat King Cole në një mbledhje fondesh për Fondacionin Robin Hood.
Jo më ndryshe nga fansat e saj, Bennett i kishte lënë aq mbresa performimi i Gagas sa i kishte kërkuar regjistrimin e një albumi së bashku.
Pasi publikuan këngën e tyre të parë së bashku, hiti i Rodgers dhe Hart “The Lady is a Tramp”, në vitin 2011, ata filluan të planifikonin atë që do të bëhej albumi i tyre i parë – “Cheek to Cheek”.
Gaga e mbështeti Bennett përmes diagnozës së tij të Alzheimerit
Në mes të dy albumeve të ardhshme solo të Gaga-s, “Joanne” të 2016-ës dhe “Chromatica” të 2020-ës, Gaga dhe Bennett regjistruan një album të dytë, “Love for Sale”, megjithëse nuk u publikua deri në vitin 2021. Ai u regjistrua pasi Bennett ishte diagnostikuar me Alzheimer.
Edhe pas diagnozës së tij të Alzheimerit, Bennett vazhdoi të performonte, duke u shfaqur me Gaga në Radio City Music Hall në 2021 në mbështetje të “Love for Sale”. Gaga tha se nuk ishte e sigurt, gjatë provave, nëse Bennett e mbante mend emrin e saj. Por interpretimi i erdhi natyrshëm, tha ajo, dhe pothuajse nuk ngatërroi as edhe një tekst.
Gjatë koncertit, kur ata u ngjitën në skenë së bashku, Bennett e prezantoi papritur me emër. Ishte hera e parë që ai thoshte emrin e saj pas një kohe të gjatë, tha Gaga.
Atë kohë, ai shkroi “Jeta është një dhuratë – edhe me Alzheimer”.
Gaga e shoqëroi jashtë skenës, me krahun e tij në dorën e saj, pas performancës së tij të fundit publike dhe natës së tyre të fundit duke kënduar së bashku.
Bennet u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare, të premten.
“E lashë zemrën në San Francisko, lart në një kodër ku më thërret”, thotë një nga këngët e tij. “Dielli juaj do të ndriçojë mbi mua”.
Dëgjuesve të tij ua la zemrën plot këngë e mbi ne, tani ndriçon Tony.