Britania e Madhe bën thirrje për njohjen e Kosovës dhe dorëzimin e Radojçiqit nga Serbia

Britania e Madhe ka bërë thirrje të qartë ndaj shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se njohja është “esenciale për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të vendit”.

Përfaqësuesja britanike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbetet mbështetëse e palëkundur e zhvillimit demokratik dhe euroatlantik të Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të institucioneve shtetërore dhe sundimit të ligjit.

“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, tha ajo gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit ku u diskutua raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Në fjalën e saj, përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë, duke përgëzuar “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal. Ajo, megjithatë, shprehu shqetësim për disa deklarata politike të fundit që, sipas saj, “rrezikojnë të rrënojnë institucionet shtetërore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese”.

“Institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike për të avancuar integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të ofruar progres për qytetarët e saj”, theksoi diplomatja britanike, duke e cilësuar kthimin e kryetarëve serbë në komunat me shumicë serbe si “një hap pozitiv drejt një pushteti lokal përfaqësues”.

Ajo kërkoi që tranzicioni institucional në komunat ku kanë fituar kandidatët e Listës Serbe të zhvillohet me “respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb”.

Në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, përfaqësuesja britanike kërkoi nga Serbia që të bashkëpunojë plotësisht me institucionet ndërkombëtare dhe të sigurojë dorëzimin e Milan Radojçiqit, të cilin e cilësoi si pjesë kyçe të përgjegjësisë për ngjarjet e shtatorit 2023.

“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë. Serbia duhet të sigurojë përgjegjësinë penale të autorëve dhe të kontribuojë në tkurrjen e tensioneve”, theksoi ajo.

Britania gjithashtu ritheksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u cilësua si “element thelbësor për ndërtimin e besimit dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë”.

Në fund, përfaqësuesja britanike mirëpriti angazhimin konstruktiv të Kosovës në procesin e Berlinit dhe bëri thirrje për përdorim më efikas të resurseve të Kombeve të Bashkuara.

Deklaratat e Britanisë u përkrahën edhe nga përfaqësuesi i Francës, Jay Dharmadhikari, i cili kërkoi që kryesit e sulmit në Banjskë të sillen para drejtësisë, duke theksuar se “është e papranueshme që ata të mbesin të lirë më shumë se dy vjet pas ngjarjeve”.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika