Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka bërë thirrje që të gjitha palët politike të respektojnë pavarësinë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si thelbësore për funksionimin e demokracisë në vend.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike të publikuar të enjten në Facebook.
Ky reagim vjen pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën për interpretim kushtetues lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.
Në një konferencë për media më 5 gusht, Osmani deklaroi se arsyeja e tërheqjes ishte emërimi i gjyqtarit serb Radomir Llaban si raportues në këtë çështje.
Sipas presidentes, institucionet e sigurisë e kishin cilësuar Llabanin si person të rrezikshëm për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare në raportet e viteve 2018, 2021 dhe 2024.