Në përvjetorin e dytë të sulmit terrorist në Banjskë, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka kërkuar nga autoritetet serbe që të arrestojnë dhe t’i sjellin para drejtësisë autorët e ngjarjes së 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në deklaratën e ambasadës britanike theksohet se autorët e këtij sulmi, përfshirë edhe Milan Radojçiqin, ende nuk janë ndaluar.
“Sot është përvjetori i dytë i sulmit të tmerrshëm në Banjskë. Ne vazhdojmë të mbajmë zi për humbjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, gjatë atij sulmi. Ne shprehim homazhe për profesionalizmin dhe trimërinë e Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator të vitit 2023, dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre të duruar në hartimin e një aktakuze.
Autorët, përfshirë Milan Radojçiqin, ende nuk janë kapur dhe nuk janë sjellur para drejtësisë. Ne sërish i bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë për këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në reagimin e ambasadës.