Bullgaria dhe Rheinmetall i Gjermanisë ndërtojnë fabrika baruti e municionesh prej 1 miliard eurosh

Kompania gjermane Rheinmetall, një furnizues i sistemeve për industrinë e mbrojtjes, do të marrë pjesë në ndërtimin e dy fabrikave në Bullgari, njoftoi drejtori i saj, Armin Papperger, të hënën. Njëra prej fabrikave do të jetë për prodhimin e barutit, ndërsa tjetra për predha artilerie.

Lajmi u bë i ditur nga Papperger gjatë një takimi të tij me liderin e partisë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), njëherësh ish-kryeministrin Boyko Borisov, në Dyzeldorf, vetëm disa ditë para vizitës së presidentit bullgar, Rumen Radev, në Gjermani.

Fabrikat do të jenë projekt i përbashkët i kompanisë gjermane Rheinmetall dhe ndërmarrjes shtetërore bullgare Vazovski Mashinostroitelni Zavodi (VMZ).

Investimi do të ketë një vlerë të përgjithshme prej mbi 1 miliard eurosh, tha të hënën drejtori i Rheinmetall-it, Papperger, pa saktësuar se sa nga kjo shumë do ta mbulojë kompania gjermane.

“Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë të suksesshëm në të ardhmen”, shtoi Papperger.

Lajmi vjen disa muaj pasi u përfol për një investim të mundshëm të Rheinmetall-it në Bullgari. Në mars, Papperger dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë vizituan vendin dhe u takuan me presidentin Radev dhe kryeministrin Rosen Zhelyazkov. Borisov, i cili nuk mban ndonjë post në qeveri, më pas njoftoi për një vizitë të tij në Gjermani, ku u takua me drejtuesit e kompanisë.

Kjo përkon me përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) për të përshpejtuar prodhimin ushtarak në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dhe shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta kufizojnë rolin e tyre në mbrojtjen e Evropës.

Lajmi për ndërtimin e një fabrike të re baruti vjen teksa janë ngritur pretendime se ndërtimi i një uzine të tillë nga një prodhues bullgar armësh është ndalur pas presionit të ushtruar nga lideri i sanksionuar për korrupsion i lëvizjes DPS – Fillim i ri, Delan Peevski.

Fabrikat, në ndërtimin e të cilave planifikon të marrë pjesë Rheinmetall, janë dy: për prodhimin e predhave 155-milimetërshe, sipas standardeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO); dhe për barut dhe ngarkesa shpërthyese.

Papperger la të hapur mundësinë që kompania e tij të përfshihet edhe në projekte të tjera në Bullgari.

Sipas tij, synimi tani është që të prodhohen mbi 100 mijë predha, pa dhënë një afat të caktuar kohor.

Borisov deklaroi se fabrika e barutit do të jetë “më e madhja në Evropë dhe do të ketë përmasat e dy fabrikave gjermane”.

Nga një stenogram i mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Bullgari në fund të korrikut del se ideja është të krijohet një ndërmarrje e përbashkët mes VMZ-së dhe kompanisë gjermane, e cila do t’i menaxhojë të dyja fabrikat.

“Përfitimet për vendin tonë dhe për industrinë mbrojtëse bullgare janë të padiskutueshme, pasi projektet do të ofrojnë mundësi për zgjerim dhe modernizim të kapaciteteve prodhuese të VMZ-së, do të kontribuojnë në forcimin e zinxhirëve të furnizimit dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese, të përputhshme me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha ministri bullgar i Ekonomisë, Petar Dilov, në mbledhjen e 23 korrikut.

Në të njëjtën kohë, Bullgaria ka plan të aplikojë për ndihmë financiare deri në 960 milionë euro nga mekanizmi evropian i investimeve në mbrojtje, SAFE, për këtë projekt, del nga stenogrami i mbledhjes së qeverisë.

Marrëveshjet për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët duhet të jenë gati brenda javëve të ardhshme, tha Borisov të hënën.

Si erdhi deri këtu?

Mundësia për një investim të Rheinmetall-it në Bullgari u diskutua publikisht për herë të parë më 26 mars, gjatë një vizite të Pappergerit në Sofje, ku ai u takua me presidentin Radev dhe kryeministrin Zhelyazkov.

Si qëllim i atyre takimeve u theksua “përcaktimi i projekteve konkrete të bashkëpunimit me industrinë dhe shkencën mbrojtëse bullgare”.

Sipas një komunikate të Presidencës, vizita ishte bërë me ftesë të presidentit Radev dhe ishte vazhdim i një takimi që ai kishte zhvilluar me Pappergerin gjatë Konferencës së Munihut për Siguri, në shkurt.

Që atëherë, Papperger kishte deklaruar në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT) se “bashkëpunimi i Rheinmetall-it me industrinë bullgare të armëve eventualisht do të përqendrohej në prodhimin e barutit”.

Më shumë se dy muaj më herët, Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë kishte raportuar se një projekt tjetër për një fabrikë baruti në Bullgari ishte ndalur pas presionit të ushtruar nga Peevski. Rasti i përket marsit të vitit 2024, kur investitori potencial ishte kompania Karash Invest EOOD, në pronësi të Hristo Gebrevit, djalit të tregtarit të njohur të armëve, Emiliyan Gebrev.

Përplasja mes Borisovit dhe Radevit

Lajmi për investimin e ardhshëm të Rheinmetall-it në Bullgari u bë publik nga Papperger gjatë një takimi të tij me Borisovin, kryetar i partisë më të madhe në koalicionin qeverisës, GERB, i cili nuk mban ndonjë post në qeveri. Papperger e prezantoi Borisovin si “një nga njerëzit më të rëndësishëm në Bullgari”.

Borisov udhëtoi për në Gjermani disa ditë para vizitës së planifikuar atje të presidentit Radev, i cili gjithashtu ka një takim të parashikuar me Pappergerin, sipas një njoftimi të Presidencës.

Në muajt e fundit, si Borisov, ashtu edhe Radev, kanë zhvilluar bisedime paralele me drejtuesit e Rheinmetall-it.

Vizita e Pappergerit në Bullgari në mars ishte bërë me ftesë të Radevit, njoftoi atëherë Presidenca. Gjatë asaj vizite, ai u takua edhe me Borisovin, ndërsa lideri i GERB-it më pas njoftoi për një udhëtim të tij në Gjermani në prill për bisedime me kreun e kompanisë.

“Dërgova te Rosen Zhelyazkov një ofertë jashtëzakonisht të detajuar për investimin në një fabrikë baruti, në bashkëpunim me kompaninë gjermane Rheinmetall”, tha Borisov në prill.

Të hënën, Radev tha se merita për këtë investim i takon atij.

“Që në fillim të vitit arrita të bind një investitor strategjik, si Rheinmetall, për të cilin qeveritarët mund vetëm të ëndërrojnë, jo vetëm të vizitojë Bullgarinë, por edhe të investojë këtu një burim financiar gjigant dhe teknologji të avancuara në industrinë tonë të mbrojtjes”, deklaroi Radev në përgjigje të akuzave se po “saboton” punën e qeverisë.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika