Kuvendi ka miratuar Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, i cili arrin vlerën rreth 4 miliardë euro. Në kuadër të këtij buxheti, për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë ndarë gjithsej 95,684,279 euro.
Nga kjo shumë, 71,530,000 euro janë destinuar për Pagesat Direkte dhe Programin e Zhvillimit Rural, ndërsa 3,000,000 euro janë paraparë për nënprogramin “Dëmet natyrore në bujqësi”.
Brenda strukturës së përgjithshme buxhetore të sektorit agro-rural, 4,706,160 euro janë ndarë për Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, 5,252,981 euro për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe 1,137,830 euro për Institutin Bujqësor të Kosovës, me synim forcimin institucional dhe garantimin e funksionimit të këtyre organeve kyçe.
Në përputhje me Ligjin për Buxhetin 2026, ministri përgjegjës për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural është autorizuar që përmes një akti nënligjor të zbatojë skemat e subvencioneve dhe granteve për Programin e Zhvillimit Rural dhe Programin e Pagesave Direkte për vitin 2026, sipas ndarjeve të përcaktuara buxhetore dhe në përputhje me kufizimet ligjore.
Programi vjetor do të zbatohet në harmoni me objektivat e Ligjit Nr. 08/L-072 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, duke synuar rritjen e prodhimit dhe produktivitetit, forcimin e konkurrueshmërisë, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, e ka cilësuar këtë buxhet si një mbështetje të rëndësishme për zhvillimin e sektorit agro-rural në vend.