
Në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, “Çarshia e vjetër” e Pejës ka marrë Planin e Menaxhimit 2025–2035, që do të udhëheqë restaurimin, zhvillimin urban dhe promovimin e saj si destinacion kulturor dhe turistik.
Këtë e ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim tek rrjeti i tij social.
Me synimet për ta fuqizuar si atraksion të qëndrueshëm turistik, Çarshia e gjatë (e vjetër) e Pejës është bërë me Plan Menaxhimi ku një prej pikave kryesore është zgjerimi i zonës së mbrojtur.
Ajo gati është tetëfishuar prej 3.32 sa është perimetri, kur i shtohet edhe zona e mbrojtur, sipërfaqja nën mbrojtje shkon në 25.34 hektarë. Sipas disa hartuesve, kjo ka qenë kërkesë e drejtpërdrejt e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Për projektin ka shkruar edhe vet Ministri në Detyrë i MKRS-së Hajrullah Çeku.
‘Në mandatin tonë, në trashëgiminë kulturore të Pejës është investuar si asnjëherë më parë. Kemi restauruar asete të shumta, ndër to: kullën e Fazli Buqollit, kullën e Sheremetit, shkollën e parë shqipe, dyqanin e Musa Goranit, mullirin e Çal Malushit, konakun e Mahmut Begollëve, kullën e Goskajve, ndërsa shumë të tjera janë në proces restaurimi. Tash kemi miratuar Planin e Menaxhimit për Çarshinë e Vjetër, një dokument strategjik që orienton zhvillimin urban, promovon turizmin kulturor dhe përmirëson cilësinë e jetës së vizitorëve dhe qytetarëve.’- shkroi mes tjerash ministri Çeku.
Sipas tij, dokumenti është hartuar nga profesionistët nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë (QRTK), në bashkëpunim me Komunën e Pejës, organizata lokale dhe ekspertë ndërkombëtarë. Gjatë vitit 2026 do të vazhdojnë investimet në Çarshinë e gjatë (e vjetër) të Pejës./Njeshi&RADIO 1/


