Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, në Debat Plus në RTV Dukagjini ka folur për sfidat e trafikut urban, duke theksuar se një prej masave kryesore është rritja e çmimit të parkimit në qendër të qytetit.
“Duhet të dekurajohet përdorimi i veturës, duhet zona qendër të bëhet më e shtrenjtë që të mos mund të vish me veturë vetëm për qejf. Duhet të bëhet më i shtrenjtë edhe parkimi në qendër”, tha Çeku, duke argumentuar se kjo do të ulte fluksin e makinave në qytet.
Ai shtoi se stresi për gjetjen e parkingut do të zgjidhej duke përdorur hapësirat e parkimit në hyrje të qytetit, të kombinuara me transportin publik.
“Edhe vetë po më thua se ai vjen në vend të punës dhe ka stres a gjen parking apo jo, dhe kjo është arsyeja pse mund ta përdorë parkingun në hyrje dhe të marrë autobusin pa vonesë, pa shpenzime, pa probleme të tjera dhe arrin deri në destinacionin e tij”, u shpreh ai.
Çeku theksoi se ndryshimi i kulturës së lëvizjes në Prishtinë kërkon kohë, duke paralajmëruar se nuk premton “mrekulli brenda një mandati”, por zotimin e tij për hapa të parë konkretë në katërvjeçarin e ardhshëm.