Në debatin e sontëm në Debat Plus, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka pyetur Uran Ismailin e PDK-së lidhur me koalicionin e tij me kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Rama, në zgjedhjet e vitit 2021.
Çeku e pyeti Ismailin se “çfarë ke besuar te Rama kur ke ftuar votuesit e PDK-së ta mbështesin?”
“Unë kam thënë disa herë që për vete kam qenë në një koalicion me zotin Rama dhe natyrisht ai koalicion është përfunduar. Nuk ka pasur asnjë fjalë ofenduese nga ana ime”, u përgjigj Ismaili.
Çeku e kritikoi atë duke i thënë se “po thoni e keni përfunduar koalicionin, por zoti Rama para disa ditësh iu tha: jeni fajtor pse pastrimi nuk po funksionon. A ke vepruar mirë? A ka qenë në interes të qytetarëve në 2021-ën?”
Ismaili u përgjigj se “Po, 100 për qind, unë kam besuar.”
Çeku e kritikoi duke shtuar se “qysh me i besu tash gjykimit tënd kur e ke bërë këtë gabim të jashtëzakonshëm? Na ke bërë kryetar Ramen. Më garanton që nuk e bën gabimin e njëjtë?”
Çeku theksoi se ka bashkëpunuar me të gjithë kryetarët e komunave, ndërsa Ismaili u përgjigj duke pyetur pse i ka besuar Ramës për projekte që i kanë diskutuar së bashku, përfshirë edhe projekte në Japoni e në vende të tjera.