Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme në vend dhe për mundësinë që kreu i partisë, Bedri Hamza, të jetë kandidat për kryeministër.
Në Debat Plus në TV Dukagjini, Çitaku tha se çështja e kandidaturës për kryeministër nuk është diskutuar ende në strukturat e partisë, pasi për një vendim të tillë kompetencë ka kryesia e PDK-së.
Megjithatë, ajo theksoi se personalisht beson se Hamza përfaqëson alternativën më të fortë politike përballë kryeministrit aktual, Albin Kurti.
“Sa i përket kandidaturës për kryeministër nuk është një çështje që e kemi diskutuar. Sepse për një gjë të tillë vendos kryesia e PDK-së. Por unë po e them si sekretare e Përgjithshme e PDK-së, unë kam besuar dhe besoj edhe sot që zoti Hamza përfaqëson antipodin më të madh të zotit Kurti në Kosovë. Me qetësinë, me maturinë, me profesionalizmin që e ka dëshmuar gjatë tërë jetëgjatësisë politike”, ka thënë Çitaku.