Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë fajtorët kryesorë pse vendi është në krizë politike.
Pas përfundimit të përpjekjes së 37-të për konstituimin e Kuvendit të mërkurën, Çitaku ka thënë se Kurti duhet të reflektojë.
“Kjo situatë është e papranueshme. Në këtë pikë të bllokadës jemi si rezultat i kryeneçësisë, papërgjegjësisë së LVV-së dhe Albin Kurtit. Kam dëgjuar deklarata qesharake gjoja i kanë numrat për qeveri dhe jo për parlament. I bëjmë thirrje Kurtit që të reflektojë. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e tij”, u shpreh ajo.
Ndryshe, rreth dy minuta ka zgjatur mbledhja e deputetëve të mërkurën. Rezultati – tjetër dështim për konstituim të Kuvendit. Edhe sot deputetët nuk votuan për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Është hera e 37-të që deputetët dështojnë në konstituim të legjislaturës së nëntë.
Pro komisionit votuan 52 deputetë.
Seanca e ardhshme do të mbahet të premten me fillim prej orës 11:00.
Deri tash, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka siguruar shumicën për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut fillimisht për kryeparlamentare, e më pas as komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Partitë që deri tash ishin në opozitë nuk kanë votuar për këtë komision.
Rregullorja e punës obligon deputetët të mblidhen çdo dy ditë për seancën konstituive, e cila konsiderohet e mbyllur pas zgjedhjes së kryesisë. Si rrjedhojë, Kuvendi po mban mbledhje çdo dy ditë tash e më shumë se 70 ditë.
E moskonstituimi po i kushton Kosovës me miliona euro. Mosratifikimi në Kuvend i marrëveshjes së Kosovës me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes nënkupton që Kosova nuk po mund të përfitojë ende nga ky buxhet multimilionësh. Për dallim, Serbia tashmë ka marrë mbi 50 milionët e parë.