Vlora Çitaku, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në emisionin Five në RTV Dukagjini ka folur rreth raporteve të administratës amerikane me Kosovën.
Ajo ka thënë se, fatkeqësisht, raportet mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës janë në pikën më të ulët të mundshme dhe se për PDK-në kjo është e papranueshme.
“Çka po shohim tani me suspendimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-ve është vetëm formalizim i relacionit që ka ekzistuar tash e pesë vite, prej kur z. Kurti dhe partia e tij udhëheqin me institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Çitaku tutje është shprehur se kjo gjendje nuk është vetëm tani dhe nuk lidhet vetëm me natyrën e raporteve mes Kurtit dhe kësaj administrate.
“Ngjashëm e kemi pasur edhe me administratën e presidentit Biden, ku kujtoj këtu suspendimin e vizitave për ministrat e qeverisë Kurti, një varg hapash që ishin ndërmarrë edhe atëherë për suspendimin e programeve të ndryshme, përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi i përbashkët me NATO-n dhe të tjera”.
”Kjo çfarë po shohim sot është vetëm formalizim i një raporti të ftohtë dhe me shumë tensione mes Kosovës dhe SHBA-ve”, ka thënë ajo.