Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj nuk do të propozojë kandidat për pozitën e presidentit të Kosovës, duke theksuar se nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë vetëm për të siguruar kuorumin për kryeministrin Albin Kurti.
Çitaku ka shtuar se partia mbetet në qëndrimin që presidenti i ardhshëm të jetë një emër unifikues, që përfaqëson të gjithë qytetarët, rezultat i një procesi politik dhe marrëveshjeje ndërpartiake, jo i imponuar nga një subjekt politik.
“Ne nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për të t’i ofruar dhe siguruar kuorumin Albin Kurtit, ne kemi qenë të qartë. Ne kërkojmë që presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshjeve dhe jo imponimeve” Kosova ka nevojë për institucione, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe është në dorën e Kurtit që të reflektoj. Imagjinojeni tash e sa muaj ne vijmë këtu dhe flasim për poste, për emra të përveçshëm, kush do të jetë kryetar kush do të jetë president, e në fakt, ne do të duhej të ishim këtu për të folur për brengat dhe hallet e Kosovës”, ka deklaruar Çitaku pas përfundimit të seancës solemne të Kuvendit të Kosovës për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.