Me të hyrë në sekondën e parë të kësaj të diele, 120 deputetët e Kosovës nuk kanë të drejtë të bëjnë asnjë veprim apo vendim për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ata deri më 8 gusht, derisa të përfundojë masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, mund të kryejnë pushimet dhe të presin pagën e radhës, pa bërë asgjë.
Por, edhe Gjykata Kushtetuese në lidhje me zgjidhjen e këtij ngërçi politik duket se duart i ka goxha të lidhura, të paktën kështu thotë Melos Kolshi nga IKD.
“Sa i përket zgjidhjeve mund të themi që ka shumë zgjidhje, mirëpo ka edhe shumë kufizime. Në të njëjtën mund të themi që zgjedhjet e reja mund të jenë si një opsion, pasi Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues, edhe ne e kemi një pikë në aktgjykimin e vitit 2014, në të cilën thuhet që dështimi i zgjedhjes së kryetarit na çon drejt zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar Kolshi.
I njëjti thotë që vendi mund të shkojë në zgjedhje përmes presidentes, por Kushtetuesja nuk mund të marrë mandatin e deputetëve.
“Kjo situatë e tillë, nuk do t’i ngjante një praktike të mirë, pasi që marrja e mandatit të deputetëve caktohet me Kushtetutë, dhe janë kushtet e parapara që mund të caktohen nga deputetët”, ka theksuar Kolshi.
Ndërkaq, analisti politik Artan Muhaxheri thotë që humbjet që ka Kosova në këtë bllokadë janë aq të mëdha sa vështirë që mund të rikuperohen.
“Faktikisht ne vështirë se mund ta kemi idenë se sa kemi humbur me këtë bllokadë në të gjitha aspektet: në aspektin politik, në aspektin ekonomik, në aspektin e brendshëm, në aspektin e jashtëm. Pra, Kosova është duke humbur miq, Kosova është duke humbur imazh, Kosova do të duhej që të punojë shumë në mënyrë që të kthehet në pikën e 9 shkurtit, prej kur ka filluar kjo sagë”, ka deklaruar Muhaxheri.
Sipas tij, edhe qëndrimet e faktorit ndërkombëtar po tregojnë mjaftueshëm.
“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht BE-ja, nuk e konsideron qeverinë aktuale në detyrë si një qeveri legjitime dhe fuqiplotë, prandaj e kemi parë edhe gjatë vizitave, nuk e kanë trajtuar as Kurtin si kryeministër që ta vizitojnë në zyrën e tij”, ka thkesuar ai.
Kuvendi nuk u arrit të konstituohet në 54 tentime.