Çmimi i energjisë elektrike të kontraktuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) është rritur ndjeshëm brenda një dite.
Të dielën, çmimi mesatar i energjisë ishte 64.55 euro për megavat-orë (MWh), ndërsa të hënën çmimi i ri ka arritur në 86.75 euro për MWh.
Me këtë çmim, KEK-u do të furnizojë ndërmarrjet që janë në treg të hapur të energjisë por që nuk kanë kontratë të përhershme furnizimi.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, këtë çmim e ka quajtur konkurrues, duke theksuar se blerja u bë në ditën e parë të funksionimit të plotë të tregut të liberalizuar të energjisë.
“ALPEX është një ëndërr e kahmotshme e realizuar për Kosovën. Mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve tona energjetike shfrytëzohet më së miri”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Ajo ka theksuar se tashmë ekzistojnë 21 furnizues të licencuar nga ZRRE, prej të cilëve së paku 5 janë aktivë dhe të gatshëm të japin oferta për konsumatorë.
Sipas saj, liberalizimi do të sjellë më shumë konkurrencë, transparencë dhe përfitime për konsumatorët dhe sektorin energjetik.
Rizvanolli ka potencuar se kalimi në treg të lirë kërkon përshtatje nga bizneset dhe institucionet, por kjo është e domosdoshme për integrim në tregun evropian të energjisë.
“Në këtë rrugëtim, sigurisht që do të ketë sfida edhe për bizneset edhe për institucionet. Ndoshta edhe do të bëjmë ndonjë gabim ndonjëherë, por kjo është mënyra se si mësojmë e si rritemi për t’u bërë konkurrues në treg e për të neutralizuar ndikimin e atyre që nuk janë as miqt tonë e as të ndershëm në biznes”, ka shkruar tutje ajo.