Defender Europe 2025: Kosova nikoqire dhe pjesëmarrëse me afër 1 mijë trupa të FSK-së

Kosova për herë të tretë që nga 2021, është nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë – “Defender Europe 2025” [Mbrojtësi i Evropës 2025].

Në këtë ushtrim i cili është më i madhi ushtarak shumëkombësh që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, Kosova përveçse si mikpritëse do të marrë pjesë edhe me afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025”, tregon besimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndaj Republikës së Kosovës.

Maqedonci për KosovaPress tha se ushtrimi “Defender Europe 2025”, këtë vit është edhe më i rëndësishëm, pasi për herë të parë në aeroportin e Gjakovës është vendosur komanda taktike e divizionit të tetë të kombësotisë, nga e cila komandë do të komandohen të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit.

“Ushtrimi Defender Europe 2025 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, jo vetëm për faktin se vendi ynë do të jetë vend pjesëmarrës me trupat ushtarake të FSK-së në këtë ushtrim, jo vetëm për faktin që ne do të jemi mes 18 vendeve nikoqire të këtij ushtrimi, por edhe për faktin se këtë herë për herë të parë ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë ka besuar në shtetin e Kosovës, në institucionet tona, në ushtrinë e Kosovës që të vendos në Kosovë, në aeroportin e Gjakovës komandën taktike të divizionit të tetë të kombësotisë, komandë e cila do të komandojë me të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit… Ushtrimi Defender Europe 2025 është ushtrimi më i madh nga ushtria e SHBA-ve në kontinentin e Evropës këtë vit, marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende të NATO-s dhe vende partnere në tri zona të ushtrimeve”, tha ai.

I pari i Mbrojtjes në vend, tha se në ushtrimin më të madh ushtarak “Defender Europe 2025”, po marrin pjesë afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kosova me FSK do të marrë pjesë në këtë ushtrim afërsisht me një numër prej 1 mijë pjesëtarësh të cilët përveç në Kosovë – që do të jetë numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së që do të ndjekin pjesën e ushtrimit – do të dislokohen dhe tashmë është dislokuar edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. E gjitha tregon për besimin që SHBA-të kanë në Republikën e Kosovës dhe në aftësinë e institucioneve tona për të mikpritur një ushtrim të përmasave të tilla”, tha ai.

Maqedonci theksoi se për Kosovën dhe sidomos për sektorin e mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor.

Ai shtoi se më 13 qershor në Pentagon, vetë ai do të nënshkruajë marrëveshjen kornizë të mbrojtjes e cila, siç tha ai, është e para e këtij niveli që nënshkruhet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes për KosovaPress, thotë se mbajtja e këtij ushtrimi edhe në vendin tonë është mesazh politik se Kosova është vend stabil dhe i denjë i cili mund të kontribuojë për paqen në botë dhe rajon.

Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ushtrimit “Defender Europe 2025” do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Ky ushtrim në Kosovë do të ndodhë nga 26 maj deri më 9 qershor.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika