Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar atë si kundërkushtetues.
Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme nuk mund të shpallen mbi një bazë kushtetuese që, siç tha ai, nuk ekziston në këtë rast. Sallahu theksoi se kriteret e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht në nenin 86 dhe nenin 82 paragrafi 1.3, mbi të cilat është mbështetur dekreti, nuk janë përmbushur për ta dërguar vendin në zgjedhje.
“Dekreti është qartazi kundërkushtetues. Andaj, nuk mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme mbi një bazë kushtetuese inekzistente. Kriteret e nenit 86 dhe 82 par 1.3 të Kushtetutës mbi të cilat është bazur dekreti nuk janë përmbushur për ta dërguar vendin në zgjedhje.
Konsideroj që Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet përderisa kemi dekret qartazi kundërkushtetues dhe përderisa Gjykata Kushtetuese të vendos për kërkesën që është dërguar dhe që mund të dërgohet në të ardhmen për rastin konkret”, ka shkruar Sallahu.