Zyrtarë të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pasi presidenti republikan, Donald Trump, mori vendim për sulme ndaj Iranit.
Anëtarja e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorja demokrate, Jeane Shaheen, tha ende po pret që të kuptojë shkallën e veprimit ushtarak amerikan ndaj centraleve bërthamore të Iranit.
“SHBA-ja nuk duhet të ngutet që të futet në luftë me Iranin. Fatkeqësisht, presidenti Trump nuk e ka vazhduar traditën dypartiake që rregullisht të informojë Kongresin për ngjarje të mëdha të sigurisë kombëtare që prekin amerikanët në mbarë botën. Shërbyesit publikë amerikanë – vetëm në Lindjen e Mesme, SHBA-ja ka 40.000 trupa – dhe diplomatët tanë, familjet e tyre dhe qytetarët tanë padyshim që janë më të rrezikuar pas veprimeve të sotme. Trump duhet të ulë tensionet me Iranin dhe menjëherë të informojë Kongresin”, tha ajo.
Senatori Chris Murphy, tha se javën e kaluar është informuar nga inteligjenca për zhvillimet.
“Irani nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm për sulm ndaj SHBA-së. Irani nuk ishte afër krijimit të një arme bërthamore. Bisedimet bërthamore, që Izraeli i ndërpreu me sulmet e tij, kishin gjasa të prodhonin sukses”, shkroi ai në X.
Kongresisti Hakeem Jeffries e akuzoi presidentin Trump se e mashtroi vendin sa i përket qëllimeve të tij, “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”./Radio Evropa e Lire