Dënimi i komandantëve të UÇK-së do të ishte dënim i drejtësisë ndërkombëtare

Kërkesa e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për 45 vjet burgim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, nuk është më thjesht një akt procedural. Ajo përbën një moment prove për vetë drejtësinë ndërkombëtare.

Sepse kjo çështje ka kohë që e ka tejkaluar kornizën penale. Sot jemi përballë një testi historik, juridik dhe moral.

Është fakt i njohur botërisht, i dokumentuar politikisht dhe i sanksionuar juridikisht, se Kosova dhe UÇK-ja zhvilluan një luftë të drejtë çlirimtare. Një luftë mbrojtëse. Një luftë për jetë, dinjitet dhe mbijetesë. Po aq fakt është se Serbia ishte agresori, përgjegjëse për spastrim etnik, deportime masive, masakra dhe krime kundër njerëzimit, të vërtetuara nga vendimet e drejtësisë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, përpjekja për t’i vendosur komandantët e UÇK-së në të njëjtin plan juridik me arkitektët e një politike shtetërore kriminale përbën një absurditet juridik. Krimet kundër njerëzimit, sipas vetë definicionit të tyre, kërkojnë veprime të përhapura ose sistematike, të lidhura zakonisht me pushtetin shtetëror. UÇK-ja nuk ishte shtet. Nuk ishte pushtet. Nuk ishte aparat represiv. Ishte rezistencë çlirimtare.

Ky dallim themelor po tentohet të fshihet.

Askush nuk pretendon se lufta është pa dhimbje apo pa episode të errëta individuale. Por drejtësia ndërkombëtare ekziston për të ndarë përgjegjësinë individuale nga legjitimiteti i kauzës. Nëse kjo vijë fshihet, drejtësia pushon së qeni drejtësi dhe shndërrohet në instrument relativizimi politik.

Paradoksi është i ashpër: pa luftën e UÇK-së nuk do të kishte Kosovë shtet. Pa atë luftë nuk do të kishte ndërhyrjen ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë. Pa atë luftë nuk do të ekzistonte as kjo gjykatë, e cila sot ka në dorë jo vetëm nderin e saj, por edhe besueshmërinë e drejtësisë së vërtetë ndërkombëtare. Dhe sot, kërkimi i dënimeve politike, pa asnjë sens drejtësie, ndaj komandantëve të asaj lufte krijon perceptimin e një drejtësie që po ndëshkon viktimën për faktin se mbijetoi.

Drejtësia ndërkombëtare nuk e humb nderin duke hetuar. Ajo e humb nderin duke barazuar agresorin me të mbrojturin, shtetin kriminal me rezistencën çlirimtare, pushtetin me viktimën. Nëse ky proces, larg qoftë, përfundon me dënime absurde, mesazhi që i dërgohet botës është i rrezikshëm: se luftërat çlirimtare janë të dënueshme, ndërsa agresioni shtetëror relativizohet.

Sot, më shumë se kurrë, në dhënien e këtij vendimi, Gjykata (Dhomat e Specializuara të Kosovës) duhet të kuptojë se në bankën e të akuzuarve nuk është UÇK-ja, as Hashim Thaçi me shokë, por është në provë vetë drejtësia ndërkombëtare, vetë fytyra e kësaj gjykate.

Dhe kjo provë ka vetëm një përfundim që ruan koherencën juridike, dinjitetin moral dhe të vërtetën historike:

Vetëm pafajësia e komandantëve të UÇK-së e shpëton nderin e drejtësisë ndërkombëtare dhe të vetë kësaj gjykate.

Çdo përfundim tjetër nuk do të ishte drejtësi. Do të ishte rishkrim i historisë me gjuhë juridike.

Ulsi Manja është Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, ish-Ministër i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë.

Shija e redaktorit

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Prestigjiozja Forbes: Dukagjini Resort, projekti i parë luksoz në veri...

Revista prestigjioze Forbes shkruan se në bregdetin verior të Shqipërisë, po ngrihet Dukagjini Resort—projekti i parë luksoz në veri që sjell standarde ndërkombëtare dhe...

Të fundit nga rubrika