Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgiykim dënues ndaj pesë të akuzuarve B.Rr., D.Rr., F.S., M.S., dhe M.R., të cilët akuzohen për dhunimin e të miturës- që njihet si rasti i 11-vjeçares. I akuzuari B.Rr., u dënua me 12 vjet burgim, ndërkaq katër të tjerët me nga 10 vjet burgim.
Sipas Gjykatës, i akuzuari B.Rr., është shpallur fajtor dhe është dënuar me 12 vjet burgim. Kurse, të akuzuarit D.Rr., F.S., M.S., dhe M.R., janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar secilit veç e veç me nga 10 vjet burgim.
Të akuzuarve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Me këtë vendim, të akuzuarit obligohen secili veç e veç që në emër të shpenzimeve të procedurës penale- për paushallin giyqesor të paguajnë shumën nga 500 euro dhe në emër te taksës për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit, secili veç e veç shumën nga 50 euro, të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.
E dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil. Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të moshës madhore, si të pandehur për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.Rr., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së, i pandehuri D.Rr., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit G.S. dhe B.S., ngarkohen për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri M.S., ngarkohet për veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
“I pandehuri F.S., ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, i pandehuri M.R., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, si dhe i pandehuri E.S., ngarkohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.7 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me neni 33 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 8 dhjetor ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares. /BetimipërDrejtësi