Një grup deputetësh britanikë dhe personalitete të larta publike i kanë dërguar një letër Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku shprehin “shqetësim të thellë” për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në Serbi, duke kërkuar që kjo çështje të ngrihet në nivelin më të lartë gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër.
Letra, e nënshkruar nga deputetë të të gjitha partive politike dhe nga përfaqësues të Parlamentit britanik, përfshirë Tom Tugendhat, Fiona O’Brien të Reporterëve pa Kufij, dhe baroneshën Helena Kennedy, thekson se liria e shtypit në Serbi “është në një pikë kthese të rrezikshme”.
Në dokument, autorët denoncojnë shtypjen e mospajtimit politik, bastisjet policore ndaj organizatave joqeveritare dhe sulmet e koordinuara ndaj mediave të pavarura, në veçanti ndaj rrjetit United Media, që zotëron televizionet N1 dhe Nova, të vetmet transmetuese të mëdha jo nën kontrollin e qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq.
Deputeti Tugendhat përmend rastin e incizimit të publikuar nga rrjeti OCCRP, ku drejtues të lartë të Telekom Srbija dhe United Group flasin për strategji për “dobësimin” e mediave të pavarura.
“Gazetarët e këtyre mediave po përballen me ngacmime të vazhdueshme, sulme fizike dhe fushata shpifjesh”, theksohet në letër.
Sipas nënshkruesve, përpjekjet e qeverisë serbe për të kontrolluar narrativën mediatike dhe për të frenuar opozitën e qytetare janë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.
“Pa gazetarë të lirë që mund t’u thonë të vërtetën autoriteteve, liritë civile në Serbi janë në rrezik të shkatërrohen”, thuhet në letrën e dërguar Cooperit.
Në fund, deputetët kërkojnë nga qeveria britanike që të përdorë ndikimin e saj diplomatik për të mbrojtur lirinë e medias në Serbi.
The cornerstone of democracy is a free press. That’s why the UK has a proud history of standing up for media freedom around the world.
Today’s summit should be no different. We’ve written to the Foreign Secretary to ask her and the Prime Minister to raise the appalling crackdown… pic.twitter.com/fSIUtNWZ2P
— Tom Tugendhat (@TomTugendhat) October 22, 2025