Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka bërë të ditur se për pak minuta pritet të nisë një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku do të shqyrtohen marrëveshje ndërkombëtare që nuk u trajtuan më herët gjatë ditës.
Kryeziu-Hyseni, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se fokusi kryesor i seancës së jashtëzakonshme do të jenë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat i cilësoi si shumë të rëndësishme për qytetarët, pasi bëhet fjalë për projekte që përfshijnë miliona euro.
“Për pak minuta pritet të fillojë seanca e jashtëzakonshme në të cilën do të shqyrtojmë marrëveshjet ndërkombëtare që nuk arritën të hyjnë në seancën e parë të ditës së sotme për shkak të insistimit të PDK-së për të futur si pikë të rendit të parë të ditës Rezolutën dhe besoj që tani do t’i rikthehemi këtij rendi të pikave që mendojmë që janë shumë të rëndësishme të kalojnë me votën e deputetëve pasi po bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare dhe miliona euro që u dedikohen qytetarëve të Kosovës. Për këtë e kemi parë të arsyeshme që t’i rikthehemi edhe njëherë Kuvendit me një seancë të jashtëzakonshme për këto pika pasi janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës”.
“Mund të ketë edhe pika të tjera, por sigurisht me theks të veçantë janë marrëveshjet ndërkombëtare pasi duhet të marrin mbështetjen e shumicës së deputeteve pasi nuk mund të kalojnë pa pasur 80 vota prezent në sallë kështu që ne po synojmë t’i përfundojmë këto e pastaj t’i rikthehemi agjendës normale të Kuvendit ku do të trajtojmë edhe çështje tjera që janë trajtuar gjatës kësaj jave nëpër komisione parlamentare”, u shpreh Kryeziu-Hyseni.
Deputetja shtoi se mund të ketë edhe pika të tjera në seancë, por theksi mbetet tek marrëveshjet ndërkombëtare ndërsa sa i përket rezolutës së propozuar nga PDK-ja, ajo deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë kundër saj në parim, por ka kërkuar përfshirje në hartimin e tekstit për ta harmonizuar atë, pasi, sipas saj, kanë ekzistuar dilema për disa elemente.
“Unë nuk e shoh se më në fund u morëm vesh, pasi ne në këtë pikë do të kishim mbërritur që në fillim por të kishte insistim nga partia propozuese – ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër Rezolutës si të tillë por është kërkuar që të marrim pjesë në tekstin e saj pasi është e rëndësishme që teksti të harmonizohet sepse kemi pasur edhe ne dilemat tona në elementet e këtij teksti pasi nuk është se kemi qenë kundër edhe nëse kështu është dukur pasi PDK-ja kështu ka tentuar ta paraqes në opinion. Njëri prej deputetëve më të zëshëm për këtë Rezolutë, Artan Behrami, nuk ishte pjesë e votimit fare – është lehtësisht e vërtetueshme kjo”, tha ajo.