Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se sot, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Të ndaluarit janë me inicialet A.F dhe G.M, të cilët dyshohet se veprojnë në Autoshkollën “STOP”, si dhe M.TH, nga Kryqi i Kuq i Kosovës, dega në Fushë Kosovë.
Ndërkohë, e dyshuara A.A, gjithashtu nga Kryqi i Kuq i Kosovës, është liruar në procedurë të rregullt.
Sipas Prokurorisë, ky veprim është vazhdimësi e një rasti më të hershëm, ku paraprakisht ishin arrestuar një instruktor i kësaj autoshkolle dhe një ekzaminer i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me hetuesit policor të Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK në Prishtinë.