“Derisa ishte në banesë, iu keqësua gjendja”: Policia jep detaje për vdekjen e Shemit të Ilirëve

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, i njohur gjerësisht si Shemi, vokalisti i grupit të famshëm “Ilirët”.

Në raportin 24 orësh, Policia thotë se ai u gjet i vdekur në banesën e tij, dhe se i njëjti ndërroi jetë pasi iu kishte keqësuar gjendja.

“Rr. UÇK-së, Prishtinë 22.12.2025-14:50. Raportohet se viktimës mashkull kosovar, për deri sa ishte në banesën e tij i është keqësuar gjendja shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

Shemi ishte një nga zërat më ikonikë të muzikës shqiptare, artisti që i dha shpirt këngës që u shndërrua në simbol kombëtar, “Xhamadani vija vija”.

Shemsi Krasniqi – Shemi ishte ndër figurat më të njohura dhe më të dashura të skenës muzikore shqiptare, këngëtar dhe vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rock-ut dhe muzikës moderne shqiptare.

I lindur dhe i rritur në Kosovë, ai u bë i njohur në vitet ’80 si zëri kryesor i grupit “Ilirët”, një formacion që shumë shpejt u shndërrua në simbol të një brezi të tërë. Në një periudhë kur muzika ishte edhe formë shprehjeje, rezistence dhe identiteti, këngët e interpretuara nga Shemi u kthyen në himne të rinisë shqiptare.

Ai mbetet veçanërisht i paharruar për interpretimin e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila me kalimin e viteve u bë një simbol kombëtar, e kënduar në koncerte, festa, tubime dhe ngjarje të rëndësishme kulturore e shoqërore. Zëri i tij i fuqishëm dhe interpretimi emocional i dhanë këngës një identitet të veçantë, që vazhdon të jetojë edhe sot.

Me grupin “Ilirët”, Shemi interpretoi edhe këngë të tjera të njohura si “Fjalët e qiririt”, “Kënga e Naimit”, “Larg vendlindjes” dhe shumë krijime të tjera që trajtonin temat e atdhedashurisë, mallit, identitetit dhe shpresës. Muzika e tyre ishte një ndërthurje e rock-ut me elemente folklorike, çka i bëri unikë në skenën shqiptare.

Përtej skenës muzikore, Shemi njihej si një artist i drejtpërdrejtë, autentik dhe i lidhur ngushtë me publikun. Ai ishte aktiv edhe në diasporë, ku koncertet e “Ilirëve” bashkonin shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, duke ruajtur dhe forcuar lidhjen me kulturën, muzikën dhe gjuhën shqipe.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika