Derisa vetëm numrat, data – e ndonjëherë edhe ora – ndryshojnë, fjalia tashmë e zakonshme e kryesuesit të përkohshëm Avni Dehari u përsërit edhe në dështimin e 37-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.
Vazhdimi i seancës që nisi më 15 Prill, u ndërpre në mungesë kuorumi pasi vetëm 52 nga 92 deputetë të pranishëm në sallë votuan.
Partitë politike, ndërkaq, nuk lëvizën nga pozicionet, duke përsëritur në masë të madhe edhe fjalimet.
Fjali e re ishte përgjigjja që kreu i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ia dha kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili tha se ish-opozita po ia zgjatë mandatin qeverisë në detyrë.
“Mos i dëgjoni njerëzit që flasin gjëra pa fije inteligjence. Si po ja zgjasim mandatin Kurtit?!. Është jo-legjitim, nuk ka mandat, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit dhe të deputetit në të njëjtën kohë. Nuk ka logjikë një gjë e tillë. Është urgjente të bëhen institucionet”, deklaroi Abdixhiku.
Pasi përsëriti akuzat për bllokadë, ndaj partive që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, e propozuara e LV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Abdixhikut, por i qëndroi asaj të shefit të partisë.
“Përditë flasin kundër qeverisë. Në vazhdimësi flasin se si Qeveria Kurti ka qenë qeveria më e dëmshme ndonjëherë, por në anën tjetër duket se as vetë nuk u besojnë fjalëve të tyre, sepse thjesht po e zgjasin mandatin e qeverisë sonë”, deklaroi Haxhiu.
Nëpërmjet deputetes Vlora Çitaku, Partia Demokratike, akuzoi partinë e parë për krijimin e një bllokade të papranueshme, saç shprehimisht u tha, “për shkak të kryeneçësisë dhe papërgjegjësisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”.
“I dëgjova disa deklarata qesharake se gjoja i kanë numrat për qeveri, por nuk i paskan numrat për kryeparlamentar. Kjo nuk do koment është papërgjegjësi. I bëj thirrje që të reflektojë. Kosova është shumë më e madhe dhe më e vlefshme se egoja e tij”,deklaroi Çitaku.
Derisa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh i brengosur për situatën, ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, iu përgjigj duke thënë se Kosova është në situatë më serioze sesa deklaratat e Kurtit.
“Paraqesin një shqetësim që ekziston në shoqërinë tonë. Është një shqetësim real”, deklaroi Haradinaj.
“Forcat politike në Kosovë duhet gradualisht të heqin dorë nga kalkulimet dhe lojërat me fjalë. Duhet të përqendrohen në arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje politike, e cila garanton ndërtimin e institucioneve”, deklaroi Limaj.
Të premten e 27 Qershorit, kur do të mbahet vazhdimi i radhës i seancës konstituive, bëhen tre muaj nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 9 Shkurtit.