Një tjetër seancë e dështuar, por këtë herë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Mes të akuzuarve, është edhe Albulena Haxhiu, që bashkë me Pal Lekajn, Donika Kadaj-Bujupin dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të bombolave të gazit lotsjellës, që dyshohet se e kishin në shkurt të vitit 2016.
Por, përveç Haxhiut e Kadaj-Bujupit, në seancë munguan dy të akuzuarit e tjerë, çka edhe pamundësoi mbajtjen e saj.
Duke i arsyetuar veprimet si politike, kundër demarkacionit e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Haxhiu, u shpreh kritike për ecurinë e rastit.
“…. Është komplet e pakuptimtë edhe kjo zvarritje, por po ashtu ne akuzohemi për mbajtje në pronësi, thua se çfarë krimi kemi bërë. Ato kanë qenë veprime politike për të ndalq demarkacionin Malin e Zi dhe po ashtu në shenjë kundërshtimi për Zajednicën. Por, natyrisht do të jem këtu derisa të përmbyllet ky proces”, deklaroi Albulena Haxhiu – e akuzuar.
Haxhiu, u pyet edhe për reagimin eventual nga ata si parti në pushte, nëse partitë deri dje në opozitë do të përdornin mjetet të ngjashme kundërshtimi.
“E kam thënë disa herë se në qoftë se qeveria jonë do të bënte veprime kundër shtetit të Kosovës, kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës, natyrisht që veprimet opozitare janë të domosdoshme, përfshirë këtu edhe gazin lotsjellës, por nuk besoj asnjëherë që me qeverinë tonë, kryeministrin, Albin Kurti do të ketë marrëveshje të dëmshme për vendin. Prandaj, edhe s’do të ketë nevojë opozita për masa, veprime të tilla”, vijoi Albulena Haxhiu – e akuzuar.
Musa Damati, avokati i Pal Lekajt, tha se tani ish-deputeti i AAK-së, ishte jasht shtetit, për shkak të angazhimeve personale.
“…Mendoj, se ky rast tashmë është rast maratonik për arsyeje se deri në fund të këtij viti arrin një dekadë prej kur dyshohet se është kryer vepra penale. Kjo çështje tashmë është duke shkuar drejt parashkrimit absolut…”, deklaroi Musa Damati – Avokat i Pal Lekajt
Seanca e radhës në këtë rast, është caktuar më 2 shtator. Sipas prokurorisë, të akuzuarit , më 19 shkurt të vitit 2016, derisa po ktheheshin nga pauza, gjatë kontrollit nga punëtorët e sigurimit në hollin e Kuvendit, kishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë të gazit lotsjellës.