Të gjithë e panë momentin kur policia dyshohet se përdori forcë të tepruar mbi 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zenjullahu, por jo edhe se çfarë ndodhi para se të vinte ajo situatë.
Për një periudhë 15 minutëshe, Zenjullahu shihet në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Dukagjini se nuk ishte në gjendje stabile.
Siç mëson Dukagjini, gjashtë thirrje brenda kësaj periudhe kanë shkuar në drejtim të Policisë për këtë rast.
Pas kësaj, vjen reagimi i zyrtarëve policorë ku fillimisht Zenjullahu duket se lëndon këmbën për shkak se hedhet mbi veturën e Policisë.
Pas këtij momenti, 27-vjecari futet në këtë veturë.
Por, aty qëndroi për pak kohë.
Më pas ai del nga vetura dhe menjëherë kapet nga zyrtarët policorë.
Fillimisht e shtrijnë në tokë, e prangosin por kjo nuk bënë që zyrtarët policor të largohen nga trupi i tij.
Një minutë e 30 sekonda qëndrojnë mbi trupin e Agon Zejnullahut, e më pas vërejnë se diçka nuk është në rregull.
Menjëherë tentojnë që me hedhje të ujit t’ia kthejnë vetëdijen, porse për një gjë të tillë duket se ishte vonë.
Në këto momente mbërrin edhe ambulanca, ndërsa Zejnullahu i prangosur vendoset në automjetin e emergjencës.
Gjatë të martës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga një muaj paraburgim për pesë policët e arrestuar.
Ndërsa dega në Lipjan e Gjykatës Themelore të Prishtinës i ka konfirmuar Dukagjinit se seanca vendimi për këtë çështje do të merret nesër.
Ndërsa Policia ndërmjet një komunikate pasditen e së martën ka dhënë versionin e saj për rastin dhe momentin kritik.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë. Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij”.
Ndonëse nuk ka raport përfundimtar nga asnjëri organ hetues, familjarët vazhdojnë të vlerësojnë që ndaj vëllaut të tyre është ushtruar dhunë.
“…ushtrohet dhunë, nuk është forcë e tepruar, ajo është dhunë çnjerëzore ndaj një qytetari, që ata u dashtë më trajtu ndryshe”, ka thënë vëllai i të ndjerit, Alban Zejnullahu.
Për këtë rast ditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë arrestuar 5 zyrtarët policor të përfshirë në rast dhe rasti vazhdon të jetë nën hetim. Ky institucion kanë thënë se për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të rastit nuk mund të japin detaje shtesë.