Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Kazem Gharibabadi, i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të enjten kundër ndërhyrjes në luftë për ta mbështetur Izraelin, sipas televizionit shtetëror.
Sipas këtij zyrtari iranian, vendi i tij është i gatshëm që ta mbrojë veten në rast të përshkallëzimit, raporton gazeta “The Guardian”.
“Nëse Shtetet e Bashkuara duan që në mënyrë aktive të hyjnë në fushë në favor të regjimit zionisht, Irani do të jetë i detyruar që t’i përdorë mjetet e veta për t’u dhënë një mësim agresorëve dhe për t’i mbrojtur sigurinë kombëtare dhe interesat e veta kombëtare” – tha Gharibabadi.
“Natyrisht, vendimmarrësit tanë ushtarakë i kanë të gjitha opsionet e nevojshme mbi tavolinë” – shtoi ai.
Sidoqoftë, zëvendësministri tha se Irani kurrë nuk ka mirëpritur ndonjë luftë dhe kurrë nuk ka synuar që të zgjerojë ndonjë konflikt.