Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, gazetarët flasin për sfidat që përballen në ushtrimin e profesionit të tyre

Gazetari Arsim Lani ka thënë se gazetaria është një profesion me rrezikshmëri të lartë dhe se duhet të përkrahet e jo të sulmohet. Ndërsa Afërdita Maliqi ka krahasuar kohën kur ka qenë gazetare e terrenit dhe se si sot zhvillimi teknologjik veçanërisht i rrjeteve sociale ka mundësuar që gjuha dhe brutaliteti të jetë shumë i lartë ndaj mendimit ndryshe

Liria e Shtypit

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i Organizatës Gazetarët Pa Kufij (RSF), është bërë publik me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit. Në publikim për lirinë e medias thuhet se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende.

Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur radhitej në vendin e 61-të.

Sipas këtij publikimi, në Kosovë pavarësia e medias kërcënohet nga rregullimi i dobët dhe varësia nga shpërndarja partiake e fondeve publike.

Në raport gjithashtu thuhet se Kosova ka një treg mediatik pluralist dhe të gjallë.

“Segmenti televiziv, me një shkallë të lartë përqendrimi, dominohet nga kanalet private me bazë në Prishtinë, megjithëse transmetuesi publik RTK luan një rol të rëndësishëm. Portalet e lajmeve në internet përfshijnë media të forta si BIRN ose Kosovo 2.0, kjo e fundit është një nga të paktat media që botojnë në shqip dhe serbisht”, thuhet në raport.

Sa i përket lirisë së fjalës, mbrojtja e burimeve të gazetarëve dhe e drejta për informim janë të garantuara ligjërisht, ndërsa shpifja është e dekriminalizuar.

“Megjithatë, kohët e fundit, gazetarët janë vënë në shënjestër gjithnjë e më shumë nga SLAPP të iniciuara nga grupet e biznesit dhe politikanët. Përveç kësaj, Ligji për të Drejtën e Autorit nuk zbatohet në praktikë. Qasja në informacionin publik u përmirësua në qershor 2021 kur Agjencia e Informacionit dhe Privatësisë u bë funksionale me Komisionerin e saj të parë”- theksohet në raport.

Afërdita Maliqi, njohëse e mediave dhe pronare e portalit Scanner në një prononcim për Portalin Dukagjini në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ka theksuar se “institucionet duhet të krijojnë një ambient të sigurt për media, pa ndërhyrë në punën e saj, sepse media është pushtet i katërt më i rëndësishëm” dhe se gjykatat duhet të trajtojnë me prioritet rastet kur sulmohen gazetarët.

Afërdita Maliqi, njohëse e mediave

Maliqi ka kujtuar kohën kur ajo punonte si gazetare e terrenit dhe ka krahasuar me kohën e sodit. Ajo ka theksuar se situata është e njëjtë por zhvillimi teknologjik, veçanërisht i rrjeteve sociale ka mundësuar që gjuha dhe brutaliteti që përdoret tani, vazhdon të jetë i rëndë dhe se pengimi ndaj mendimit ndryshe po merr përmasa dhe shpesh po përfundon me dhunë verbale e fizike.

Sa i përket rastit ku u ushtrua dhunë ndaj gazetarit Valon Syla, Maliqi ka potencuar se ky rast ka treguar “josigurinë që kemi ne, kur japim një mendim për një çështje, e që nuk mund t’i pëlqejë një pjese të një turme” dhe se ishte tendencë për ta vrarë fjalën e lirë.

“Komuniteti i gazetarëve duhet të jetë i bashkuar në ruajtjen e të drejtës së mendimit të lirë dhe në mbrojtje të gazetarëve e mediave. Media e ka dhënë mesazhin se çdo tendencë për të tentuar për të cenuar fjalën e lirë, vetëm sa e ka bërë më të fortë idenë për të mos u ndalur në raportimin e drejtë dhe korrekt, në misionin që ka media, pavarësisht sfidave dhe barrierave që mund të hasen gjatë rrugës”, ka përfunduar Maliqi.

Kryeredaktori në Televizionin T7, gazetari Arsim Lani në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka theksuar se “përpjekjet e pushtetit për të përdorur gjuhë denigruese, për t’i kërcënuar dhe nënvlerësuar punën e gazetarëve, nuk janë sinjal i mirë”.

“Problemet të cilat ekzistojnë aktualisht janë shqetësuese, përpjekja e pushtetit për të përdorur gjuhë denigruese, për t’i kërcënuar dhe nënvlerësuar punën e gazetarëve, nuk është sinjal i mirë. Viti që shkoi ka qenë mjaft sfidues dhe ka dëshmuar që gazetarëve iu rrezikohet edhe jeta, veçmas gjatë raportimit nga zona ku siguria nuk është në nivel, siç është veriu i vendit”, ka theksuar Lani.

Si problem kyç i ushtrimit të rolit të gazetarit, Lani ka theksuar se është mungesa e transparencës së institucioneve, veçanërisht kabineti qeveritar zakonisht i përgjigjet negativisht por edhe nga radhët e deputetëve të partisë në pushtet.

Lani ka theksuar se bashkëpunimi i tyre me media në përgjithësi është jetik dhe se nuk po trajtohen me prioritet nga institucionet e drejtësisë.

“Në televizionin T7 ka pasur disa raste ku gazetarët në veri janë ndjekur, madje edhe me armë zjarri, mirëpo ato nuk janë trajtuar madje as identifikuar të dyshuarit. Kjo i motivon keqbërësit që të vazhdojnë veprimet e tilla që e pengojnë lirinë e mediave”, ka thënë Lani.

Arsim Lani

Ai ka potencuar se gazetaria duhet të përkrahet e jo të sulmohet vazhdimisht.

“Angazhimi i institucioneve të drejtësisë për t’ua dhënë dënimin meritor të gjithë atyre që kryejnë vepra penale ndaj gazetarëve. Krijim të strategjisë për t’ua ofruar gazetarëve ambientin e përshtatshëm për punë”, ka përfunduar Lani.

Ndërsa gazetarja e Klan Kosova, Qëndresa Tërshani ka treguar se sfida në të cilën kalon si gazetare në Kosovë nuk është aspak e lehtë.

Madje ajo ka treguar një rast se si është penguar që të kryej punën e saj, kur është kërcënuar me padi nga komuna e Pejës, ku sipas tyre nuk ka raportuar drejtë në ngjarje.

Tërshani ka treguar se kjo storje doli të jetë edhe e suksesshme edhe e saktë, ku edhe u shpërblye me çmim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si kronika më e mirë televizive e vitit 2022.

Qendresa Tershani

“Rastet të tilla ka jo pak, andaj këshilla ime për gazetarët e rinj është që të mos bien pre e presioneve, shantazheve e kërcënimeve që mund të vijnë në çdo kohë nga politika e biznesi”, ka përfunduar Tërshani.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika