DnV: Fushatë e qetë, por me entuziazëm të zbehtë qytetar dhe dominim të liderëve partiakë

Në prag të përmbylljes së fushatës zyrtare zgjedhore, Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar një vlerësim analitik me gjetjet kryesore nga vëzhgimi i fushatës, me qëllim ofrimin e një pasqyre reale mbi zhvillimet në terren, mesazhet e komunikuara dhe nivelin e gjithëpërfshirjes së procesit për qytetarët.

Drejtuesi i DnV-së, Ismet Kryeziu, ka deklaruar se fushata zgjedhore, në përgjithësi, është zhvilluar në një ambient të qetë dhe pa incidente serioze të sigurisë. Sipas tij, ka pasur konkurrencë aktive politike, aktivitete të rregullta dhe pjesëmarrje qytetare në të gjithë vendin, por vëzhgimi ka evidentuar edhe disa prirje dhe sfida që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e fushatës.

Sipas DnV-së, gjatë fushatës është shënuar nivel i zbehtë i entuziazmit qytetar. Pjesëmarrja ka luhatur ndjeshëm mes subjekteve politike dhe formave të organizimit, nga qindra deri në mbi një mijë pjesëmarrës. Aktivitetet kanë qenë kryesisht të kombinuara, me pjesëmarrje të mesme dhe të gjerë në prezantimet e listave, të zhvilluara kryesisht në ambiente të mbyllura. Vëzhgimi ka treguar përqendrim të aktiviteteve në qendrat urbane dhe komunat me peshë më të madhe elektorale, ndërsa komunat më të vogla kanë qenë më pak të ekspozuara.

Kryeziu ka theksuar se fushata ka qenë e përqendruar tek liderët partiakë dhe kandidatët për kryeministër, ndërsa kandidatët për deputetë kanë pasur rol dytësor. Sipas tij, personalizimi dhe centralizimi i fushatës ka kufizuar paraqitjen programore të kandidatëve, me takime pa praninë e liderëve që kanë qenë kryesisht të vogla.

Sa i përket përfaqësimit dhe gjithëpërfshirjes, Kryeziu ka vlerësuar se këto mbeten sfida serioze. Gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara si folëse, mesatarisht vetëm një në pesë, ndërsa në shumë aktivitete nuk ka pasur asnjë grua folëse. Në listat zgjedhore, përfaqësimi i grave ka mbetur kryesisht në nivelin minimal ligjor prej 30%, duke reflektuar përmbushje formale të kërkesave ligjore, por jo domosdoshmërisht angazhim politik për fuqizimin e tyre. Të rinjtë, ndonëse aktivë në mobilizim dhe logjistikë, kanë pasur hapësirë të kufizuar në role vendimmarrëse, ndërsa personat me aftësi të kufizuara kanë qenë pothuajse të padukshëm si në audiencë ashtu edhe në përfaqësim.

Sipas Kryeziut, diskursi politik gjatë fushatës është përqendruar kryesisht në çështje ekonomike, sociale dhe të sigurisë, me theks në punësim, paga, mirëqenie sociale, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe anëtarësim në NATO. Çështja e rritjes së pagave dhe fuqizimi i skemave sociale ka dominuar mesazhet e pothuajse të gjitha subjekteve politike, pavarësisht profileve ideologjike.

Sa i përket tonit dhe gjuhës së fushatës, Kryeziu ka bërë të ditur se ajo ka variuar nga pozitive dhe motivuese deri te kritikuese dhe polarizuese, ndërsa përdorimi i gjuhës fyese dhe diskriminuese ka qenë dukshëm më i ulët, me përjashtim të disa rasteve të izoluara, kryesisht nga akterë jashtë garës direkte zgjedhore.

DnV ka vlerësuar se përdorimi i gjerë i rrjeteve sociale ka rritur edhe rrezikun për dezinformim. Sipas Kryeziut, komunikimi politik është zhvilluar kryesisht përmes takimeve direkte, rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale, duke rritur shtrirjen dhe ndërveprimin me qytetarët, por njëkohësisht duke sjellë sfida si thjeshtimi i diskursit politik dhe reduktimi i debatit substancial.

Një shqetësim i veçantë, sipas DnV-së, mbetet pabarazia e garës. Kryeziu ka thënë se edhe gjatë kësaj fushate ka pasur ndërhyrje dhe cenim të integritetit zgjedhor përmes shfrytëzimit të resurseve publike për përfitime elektorale, duke përmendur si shembull vendimin e Qeverisë për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët disa ditë para zgjedhjeve, të cilin e ka cilësuar si rast klasik të shfrytëzimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

Sa i përket administrimit zgjedhor, Kryeziu ka vlerësuar se puna e trupave menaxhuese ka qenë përgjithësisht e rregullt dhe më transparente, ndonëse me raste tensionimi në mbledhjet e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), veçanërisht lidhur me votimin jashtë vendit dhe akreditimin e vëzhguesve. Ndërkohë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pasur rol kyç në ruajtjen e integritetit të procesit, duke trajtuar ankesat me paanshmëri dhe profesionalizëm. Deri më tani janë dorëzuar 20 ankesa, prej të cilave janë marrë 7 vendime: 4 dënuese dhe 3 refuzuese.

Pas paralajmërimeve për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve, DnV ka bërë thirrje që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha masat për të mos cenuar integritetin e procesit. Në Ditën e Zgjedhjeve, DnV do të angazhojë rreth 600 vëzhgues dhe do të informojë publikun për gjetjet nga terreni përmes katër konferencave për media. Zgjedhjet do të vëzhgohen sipas metodës PVT, e bazuar në parime statistikore, që mundëson vlerësimin e procesit të votimit dhe numërimit në një mostër përfaqësuese në nivel vendi.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika