Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, gazetari Ermal Panduri ka publikuar edhe disa dokumente të cilat dëshmojnë se si KOSTT-i kishte dhënë garancion bankar për një operator ekonomik privat.
Panduri në emisionin e tij ka sqaruar kronologjikisht rrjedhën e gjithë procedurës deri në vendimin për dhënien e këtij garancioni.
Në mbledhjen e komisionit për energji më 5 korrik 2024, që atë kohë udhëhiqej nga deputeti Ferat Shala, përkundër interesimit të deputetes Valentina Bunjaku, Evetar Zeqiri mohoi që KOSTT të ketë lëshuar ndonjë letër garancion të tillë.
Valentina Bunjaku – Kohën e fundit kam dëgjuar që ju si KOSTT keni dhënë një garancion bankar për një operator ekonomik privat dhe ju lutem na shpjegoni më shumë për këtë çështje sepse këtë e lexova edhe në media?
Evetar Zeqiri (KOSTT) – Deputete, është informatë e pasaktë…, nuk kemi dhënë asnjë garancion.
Valentina Bunjaku – Letër garancioni keni lëshuar…?
Evetar Zeqiri – Jo, nuk është e vërtetë.
Valentina Bunjaku – A je i sigurt që nuk keni dhënë…?
Evetar Zeqiri – Po, qind për qind.
Më 23 maj 2024, KOSTT i është drejtuar zyrtarisht disa bankave komerciale në Kosovë me një kërkesë për ofertimpër dhënien e garancionit bankar / Financiar nga KOSTT për sigurimin e përmbushjes së detyrimeve për përfituesin e ankandit 100MW Solar park. Vlera e garancionit të kërkuar ishte 6,750,000 euro.
Kjo letër mban nënshkrimin e Evetar Zeqirit, i cili në atë kohë ishte kryeshef ekzekutiv i KOSTT.
Tetë ditë më vonë, më 30 maj 2024, është mbajtur mbledhja e Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it. Në atë mbledhje, është marrë vendim për të autorizuar nënshkrimin e marrëveshjes për blerje të energjisë elektrike me kompaninë “Linda Solar LLC”. Sipas rrjedhës së mbledhjes rezulton se vetë Bordi nuk ka qenë i njoftuar paraprakisht për kërkesën e dërguar më 23 maj në emër të KOSTT-it, ndërsa Evetar Zeqiri, në momentin kur është pyetur për këtë dokument, ka deklaruar se nuk e di se si do të zhvillohej ky proces.

