Ngërçet politike me të cilat u përball Kosova gjatë vitit të kaluar, si pasojë e moskonstituimit të institucioneve për muaj me radhë, pashmangshëm i kanë shkaktuar edhe shumë pasoja.
Vit i humbur për Kosovën, është përkufizuar 2025-ta në draft raportin e përpiluar nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Në këtë draft raport 10 faqesh thuhet se mosformimi i institucioneve gjatë vitit të kaluar ka ndikuar në disa aspekte për qytetarët, derisa është përmendur edhe çështja e mos zgjedhjes së presidentit të ri dhe se Kosova rrezikon që edhe njëherë të shkojë në zgjedhje.
“Në përgjithësi, 2025-a duhet të konsiderohet vit i humbur për Kosovën, meqë pas zgjedhjeve të rregullta të muajit shkurt për Kuvendin, as legjislativi e as Qeveria nuk u funksionalizuan. Edhe pse tri palë zgjedhjet, që u zhvilluan më 2025 – dy parlamentare dhe një lokale – u zhvilluan të gjitha në mënyrë paqësore, procesi normal politik u ndërpre thellësisht. Si rezultat, disa reforma politike dhe ekonomike ngecën, dhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor nuk mund të zbatohej”.
Një pjesë e këtij dokumenti, flet edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë, e që thuhet se nuk ka dhënë rezultate të pritura.
“Disa nga sfidat e Kosovës janë probleme të trashëguara, zgjidhja e të cilave kërkon përfshirjen e të gjithë rajonit në procesin më të gjerë të integrimit në Bashkimin Evropian. Dialogu Prishtinë–Beograd, i cili u nis për të gjetur një kompromis të pranueshëm për palët, për fat të keq nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Dialogu në thelb ishte i pezulluar gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe sepse Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe autoritet, dhe negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë. Komisioni Evropian, si dhe Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, duhet pa dyshim të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu Prishtinë–Beograd të vazhdojë me energji të re. Prandaj, zgjatja e mandatit të Përfaqësuesit Special, Peter Sörensen, deri në shkurt 2028, është shumë e mirëpritur”.
Nga shoqëria civile e analistët, konsiderojnë se raportet e tilla janë mesazh për Kosovën dhe se s’duhet të ketë përsëritje të situatave të kaluara.
“Është një raport pak a shumë e tregon se çfarë mendon Brukseli për momentin për Kosovën dhe nuk është një raport i pa rëndësishëm dhe sa i përket pyetjes se a ndikon kjo në raport me ndërkombëtarët pa dyshim sepse cdo lloj raporti që del nga institucionet serioze që janë kryesore të BE-se, siç janë Komisioni, Këshilli Evropian e Parlamenti evropian janë dokumente serioze dhe lexohen nga vendimmarrësit evropian dhe vendet anëtare të BE-së.”, ka thënë Besar Gërgi – Hulumtues në GLPS .
“Garnitura aktuale dhe e cila ka qenë në pushtet prej vitit 2021 e deri më tani nuk është se fortë u ka dhënë peshë të madhe në ndryshimin e përqasjes së politikës së tyre sidomos në raport me Kosovën që ka si pasjonë dhe vullnet anëtarsimin evropian nuk shoh që do ketë ndonjë peshë të veçantë në mënyrën se si ka funksionu deri më tani por është e rëndësishme që Kosova të ndjek këshillat që dalin nga Parlamenti Evropian.”, ka thënë Albinot Maloku- Analist.
Ky draft-raport pritet që të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, e më pas të miratohet në Parlamentin Evropian.