Drejtori i AKK-së flet për takimin në ambasadën amerikane: Kishte vullnet për të ardhmen

Pjesë e diskutimit për Asociacionin në ambasadën amerikane, ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili në një prononcim për Portali Dukagjini ka thënë se takimi ishte konstruktiv

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi

Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë qeveritarë të Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë.

Tema kyçe e takimit në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Pjesë e diskutimit ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili në një prononcim për Portali Dukagjini ka thënë se takimi ishte konstruktiv.

“U dëgjuan palët e ndryshme për atë se çfarë mendojnë për çështjen e Asociacionit, është biseduar sa i përket asaj se si mund të funksionojë ky Asociacion në praktikë, si mund të funksionojë Asociacioni sipas kornizës ligjore të Kosovës dhe si mund t’i trajtojë një mekanizim i tillë çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësi, arsim dhe me zhvillim ekonomik”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka theksuar se në takim është vërejtur një vullnet për zgjidhjen e problemeve nga të dyja palët.

“Kishte vullnet për të ardhmen, por tash njëra palë reflektonte më ndryshe e tjera më ndryshe. Ne i dimë qëndrimet e Qeverisë por ishin edhe përfaqësuesit e minoritetit serb, edhe nga pjesa veriore por edhe pjesa tjetër, por me rëndësi që ka vullnet për të biseduar dhe të gjendet një rrugë që e çon Kosovën përpara”, shtoi ai.

Nga pikëpamja e tij, Ibrahimi potencoi se SHBA-të janë djepi i demokracisë nga të cilët mund të merren praktika institucionale se si duhet të zhvillohet dialogu për të çuar drejt përmirësimit të gjendjes.

“Po shihet që ShBA-të janë djepi i demokracisë dhe mund të marrim shumë praktika institucionale sesi duhet të zhvillohet dialogu për përmirësimin e situatës e cila është duke i brengosur shtetin e Kosovës për disa vite”, ka thënë Ibrahimi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk mund të lejojë krijimin e një strukture njëetnike me kompetenca ekzekutive.

Kurti ka thënë se çështja mund të zgjidhet brenda kornizës së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika