Kryetari aktual i Deçanit, njëherësh kandidat i AAK-së për mandatin e tretë në zgjedhjet lokale të tetorit, ka komentuar kundërkandidatët e tij për të parin e Deçanit.
Ai ka thënë se ka respekt për kundërkandidatët e tij në dy palë zgjedhjet e fundit lokale, pasi që ata nuk kanë kontribuar në prishjen e balancave të qytetit.
“Ne njihemi krejt në qytet dhe nuk u kemi dhënë fort zor njerëzve me i tensionu pse po ju kërkojmë votën”, ka thënë ai.
“Po ashtu ka qenë edhe në sfidën e dytë, thuajse pak a shumë e njëjtë, pak më e tensionuar situata. Si duket këto zgjedhje kanë me qenë pak më të tensionuara për shkak të diskurseve që kanë filluar me u kriju”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se Deçani në listën përfundimtare të votuesve ka më shumë se 42 mijë emra, ndërsa numri real i rezidentëve është 28 mijë banorë.
Ramosaj ka deklaruar se ka për të investuar dhe për të dhënë maksimumin e tij që gara të jetë e balancuar në aspektin e qasjes me qytetarët.
“Nuk e kam ndërmend me u marrë me retorikën negative të kandidatëve, e cila është e paargumentuar, por kam me argumentuar shumë me programin dhe atë që kam marrë përsipër me zbatu”, ka thënë ai.