Një zyrtare e zgjedhur lokale u qëllua për vdekje në Meksikën perëndimore, vetëm dy ditë pasi një tjetër kryetare komune u vra në jug të vendit, njoftuan burime rajonale të martën.
Martha Laura Mendoza, kryetare e komunës Tepalcatepec në shtetin Michoacan, u vra dy ditë pas ekzekutimit të Lilia Garcias, kryetares së bashkisë së San Mateo Piñas në shtetin Oaxaca, e cila u sulmua nga një grup prej pesë personash të armatosur në zyrën e saj.
“Kam marrë konfirmim se kryetarja e bashkisë së Tepalcatepec është vrarë,” tha për X paraardhësi i saj, Guillermo Valencia, nga partia opozitare PRI.
Po ashtu i vdekur mbeti dhe bashkëshorti i saj, thanë dy gazetarë lokalë. Mendoza ishte anëtare e partisë në pushtet MORENA dhe në llogarinë e saj X e përshkruante veten si “aktiviste sociale, nënë, grua dhe presidente e këshillit të qytetit të Tepalcatepec”.
Shteti Michoacan, i njohur për prodhimin më të madh të avokados në Meksikë dhe në botë, është i prekur nga aktiviteti i organizatave kriminale si karteli Nueva Familia Michoacana, i listuar nga administrata amerikane si organizatë terroriste.
Pas vrasjes së Lilia Garcias të dielën, autoritetet po hetojnë disa motive, duke përfshirë akuzat për përvetësim fondesh, falsifikim të firmës së kryetares dhe trafik druri në zonë.
Në vitet e fundit, dhjetëra zyrtarë vendorë në Meksikë janë vrarë në sulme të lidhura me krimin e organizuar. Një valë e tillë dhune goditi kryeqytetin meksikan një muaj më parë, me vrasjen e dy bashkëpunëtorëve të kryetares së bashkisë Clara Brugada në rrugë.