Dy persona janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj nën dyshimin për përfshirje në një rast vrasjeje që ndodhi të dielën mbrëma në qytetin e Ferizajt.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 28 qershor, rreth orës 22:50, autoritetet kanë pranuar informacion se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, i cili në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë e tjera relevante ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë një e dyshuar për veprën penale “Vrasja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj, me inicialet M.B., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe të rolit të tij të mundshëm në këtë çështje.
Viktima, me inicialet F.H., është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet obduksionit për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim dhe se po punohet për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.