Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në afërsi të Gjykatës Themelore në Pejë.
Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi.
Gashi, mes tjerash, bëri të ditur se dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.
“Rreth orës 16:10 minuta Policia ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në rrugën “Hasan Murati”, në afërsi të Gjykatës Themelore në Pejë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se dy persona janë të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman në Emergjencën e Spitalit Rajonal, gjersa një i dyshuar është arrestuar menjëherë në flagrancë në vendin e ngjarjes. Ende nuk e dijmë (shkallën e lëndimit, janë të plagosur nga të shtënat, por nuk e dimë”, tha Gashi për Dukagjinin.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se sot pasdite ka pranuar dy persona të plagosur me armë zjarri. Të dy janë duke u trajtuar në këtë institucion dhe ndodhen nën kujdesin e ekipit mjekësor kujdestar.
Sipas spitalit, po kryhen të gjitha ekzaminimet dhe ndërhyrjet e nevojshme për stabilizimin e gjendjes së të plagosurve, të cilët aktualisht janë në kujdes intensiv. Institucioni ka bërë të ditur se opinioni dhe mediat do të informohen për çdo zhvillim të ri.
Po ashtu Dukagjini ka siguruar pamje nga arrestimi i të dyshuarit për këtë rast.