Nëntë muaj shkelje e afatit të kontratës dhe dy përurime pa u përfunduar punimet, është epilogu i deritanishëm në segmentin Lum i Madh – Gojbulë, në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë.
Zgjerimi dhe ndërtimi i këtij segmenti, sipas kontratës së nënshkruar më 8 Shkurt 2024, do të duhej të ishte çështje e mbyllur fiks për një vit.
“Jemi detyruar ta shkëpusim kontratën, kemi filluar menjëherë procedurat për nënshkrimin e kontratës së re. Sot jemi në ditën kur e kemi nënshkruar kontratën dhe jemi kujdes që në kontratë, plani dinamik për zhvillimin e punimeve të jetë i shkurtë. Pra, që nga sot janë 12 muaj, ditë kalendarike, jo ditë pune. Pra, sot një vit kontraktori e ka për obligim ta dorëzojë punishten të përfunduar”, ka thënë u.d. i ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Përkundër kësaj, ministri në detyrë Hysen Durmishi e as zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, nuk treguan shkaqet e vonesave e as nëse do të ketë penalizime edhe për kontraktorin aktual.
Sidoqoftë, moskryerja e punëve me kohë nuk qe pengesë për përurime gjysmake.
Shiriti i kuq u pre fillimisht këtu, më 20 Dhjetor 2024, pasi u përfunduan 5.5 nga 9.8 kilometra sa ka gjithsej segmenti i kontraktuar, nga fshati Lum i Madh deri në atë Gojbulë.
Madje, u përdor edhe në kohë fushate.
Përurimi i dytë i segmentit të papërfunduar u bë vetëm tre ditë para rundit të parë të zgjedhjeve lokale, duke hapur për qarkullim vetëm njërën anë të rrugës. Ndërkohë edhe sot, pesë javë pas, këtu punimet po vazhdojnë duke asfaltuar dhe duke u pagatitur për asfaltim.
Në punishte, aktualisht të paasfaltuara janë edhe afër 2.5 kilometra të njërës anë të rrugës, derisa në pjesën tjetër po aty – nga hyrja e Vushtrrisë deri në Gojbulë – që ka gjatësi pak më shumë se 4 kilometra, është vendosur vetëm shtresa e parë.
Aty nuk janë vendosur ende as anësoret, shtyllat e pjesët tjera përcjellëse.
Një përurim i tretë – dhe mbase i vërtetë – mund të jetësohet së shpejti.
E paprekur dhe që nuk përfshihet në kontratën aktuale, mbetet pjesa nga Smrekonica deri në Mitrovicë.