Dy policë kanë mbetur të lënduar gjatë një incidenti që ndodhi jashtë fushës së futbollit në Ferizaj, në ndeshjen e Superligës së Kosovës mes Ferizajt dhe Prishtinës.
Ndeshja, e cila zhvillohej të dielën, u ndërpre në minutën e 12-të pas një përplasjeje mes tifozëve vendas dhe tifo-grupit “Plisat”.
Pas qetësimit të situatës, loja rifilloi.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar katër persona në stacionin policor në Ferizaj për intervistim.
Ndërkohë, dy pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente të Ferizajt.
“Janë marrë masat shtesë për mbarëvajtjen e ndeshjes”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë së rajonit të Ferizajt, Kanun Veseli.