Dy raste të dhunimit seksual, viktimat një 11 vjeçare dhe 13 vjeçar 

Një 13 vjeçar, dhe një 11 vjeçare, të dy nxënës të së njëjtës shkollë, në dy raste të ndryshme dyshohet se janë dhunuar seksualisht, i mituri dyshohet se është abuzuar nga një 17 vjeçar, ndërsa e mitura 11 vjeçare nga një person i rritur, i cili tashmë është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim për 30 ditë. Me rastin po merret Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Një 13 vjeçar nga një qytet në rrethin e Prishtinës përmes Tik-Tokut kishte krijuar kontakt me një 17 vjeçar tjetër nga Ferizaj.

Më datë 9 dhjetor, i mituri nuk kishte shkuar fare ta ndjekë mësimin për ta takuar fizikisht të njohurin e ri.

Ai ishte nisur për në Ferizaj ku më pas dyshohet se ishte abuzuar seksualisht nga 17 vjeçari me të cilin kishte kontakt përmes rrjeteve sociale.

Rasti në Policinë e Kosovës është raportuar tek më 15 dhjetor, 6 ditë më vonë.

“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.”

Ky nuk është rasti i vetëm i kësaj natyre, ku viktimë e abuzimit seksual, është një i mitur.

Po nga e njëjta shkollë, një 11 vjeçare para disa ditësh, në një pjesë tjetër të qytetit, dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një person i moshës madhore.

Për rastin e 13 vjeçarit Prokuroria Themelore në Prishtinë është në fazën preliminare të hetimeve, ndërkaq për rastin e dytë, për dhunimin e të miturës 11 vjeçare, i dyshuari ka përfunduar prapa grilave.

“Me urdhërin e Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person i moshës madhore për shkak se i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penal dhunimi, dhe po ashtu Prokuroria është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje. Prokurori i çështjes ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, ka thënë Kaltrina Shala, zëdhënëse e prokurorisë.

I dyshuari është dërguar në paraburgim për 30 ditë.

Në rastin e parë, 13 vjeçari ende nuk është ekzaminuar sepse institucionet përkatëse janë në pritje të lejes nga prindërit e tij.

Ndërkaq ekzaminimi i 11 vjeçares është bërë tashmë dhe është konstatuar se ajo ka qenë viktimë e dhunimit seksual.

Bëhet fjalë për një dhunim te një vajze të moshës 11 vjecare e cila ka ndodhur në komunën tonë,  është kryer i cili ka qenë i njohur për organet e rendit, fëmiju ndodhet pranë familjes së saj, dhe u kemi kërkuar që nëse ka nevojë për ndonjë shërbim ne do të jemi në dispozicion”, ka thënë Abaz Xhikolli nga Qendra për Punë Scoaile në Fushë Kosovë.

Këto informacione janë pritur me shqetësim nga drejtoria e arsimit.

“Rreth rasteve janë duke u marrë të gjitha instancat duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, hetuesisë, Prokurorisë,  dhe të gjitha instancave që duhet të merren me keto raste.”, ka thënë drejtori i Arsimit, Adriatik Zeqiri.

Informacionet për këto dy raste janë konfirmuar edhe nga shkolla përkatëse të cilët e kanë konfirmuar se për rastin e 13 vjeçarit kanë rënë në gjurmë pas mungesës së tij në mësim, ditën kur ka ndodhur rasti, me ç’rast pas kontakteve me prindërit dhe konsultimeve  me psikologun e kanë kuptuar për rastin dhe e kanë adresuar tek institucionet e hetuesisë dhe sigurisë.

Të fundit nga rubrika