Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara të sulmit ndaj zyrtarëve policorë në Ferizaj, që ndodhën mbrëmjen e 19 gushtit 2025 në rrugën “Gjon Sereqi”.
Sipas raportit 24-orësh, rasti i parë u regjistrua rreth orës 21:15, kur njësia policore e biçikletave tentoi të ndalonte një motoçiklist. I dyshuari nuk përfilli shenjat e ndalimit, por përkundrazi rriti shpejtësinë, duke goditur dy zyrtarë policorë dhe u largua nga vendngjarja. Policët e lënduar u dërguan në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt për trajtim mjekësor. I dyshuari u identifikua pasi në vendngjarje i kishte rënë telefoni celular dhe më pas, së bashku me prindin e tij, u paraqit në stacionin policor. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë ndodhi pesë minuta më vonë, rreth orës 21:20, kur njësia e trafikut të qytetit tentoi të ndalonte një grup të rinjsh me motoçikleta. Gjatë aksionit, njëri nga drejtuesit e motoçikletës goditi një polic, duke i shkaktuar lëndime trupore. Dy personat që ndodheshin në motoçikletë u arrestuan menjëherë. Edhe në këtë rast, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit u liruan në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se po vazhdon procedurat hetimore lidhur me këto raste.