E mbijetuara e dhunës seksuale e cila po vazhdon rrëfimin e saj në TV Dukagjini ka treguar se kishte mbetur shtatëzënë nga kriminelët serb.
Pasi ishte larguar nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, atë e kishte strehuar një grua nga Durrësi e cila pas problemeve shëndetësore, e kishte drejtuar në spital.
“Kisha dhimbje të barkut, kisha marramendje, të vjella. Një ditë më tha a dojmë me shku te mjeku se nuk je hiç se veç shkoja duke u dobësu. Kur shkova, po iu thotë ajo me gjasë ka zorrë qorre se shumë keq është se veç po vjell, veç po vjell edhe ma kanë ba një analizë, në gisht ma kanë marr edhe po vjen ajo infermierja me të, edhe po thotë ‘oo urime, urime nusja shtatzënë’.”, ka treguar ajo.
E mbijetuara kishte vendosur të mos ta mbante fëmijën e më pas, i ishin shfaqur problemet shëndetësore.
“Nga ai moment, kurrë më nuk jam ndje mirë nga ana gjinekologjike, nuk e di kam pas probleme, jam operu, e kam hjek mitrën. Kur janë ba nja shtatë vjet pas luftës kam qenë shumë keq, e kam hjek mitrën, tash mirë jam.”, ka treguar ajo.
Ajo ka treguar se është e gatshme të dëshmojë kundër Zoran Vukotiqit, njëri nga personat që e kishte dhunuar, atëherë kur i njëjti të vihet para drejtësisë.