Përpos në Krushë të Madhe, për shumë vite shtëpija në fund të kësaj rrugice, ishte e vetmja adresë për Ukshin Hotin.
Në lagjen Velania në Prishtinë, Ukshinin e priste “çerdhja” e sigurt, siç e quan e motra, Myrvetja.
Atë kohë pothuajse të gjithë ishin distancuar nga intelektuali rrebel, madje edhe shqiptarët. Ndoshta kishin simpati për qëndrimet e tij, por nuk shoqëroheshin me të.
Profesori që kishte braktisur Harvardin për Kosovën e vogël e të varfër, rreth vetes kishte pak familjarë e disa të panjohur e të pa-ftuar. Hap pas hapi Ukshin Hotin e përcillte shërbimi sekret serb.
“A beson që në orën 23:00 të natës ka ardhur Ukshin Hoti edhe unë e kisha telefonin atëherë të shtëpisë, në këtë orë telefoni u ndalke. Edhe më thojke Ukshini, Myrvete: kanë e ke spiun këtu në lagje, kush po e di sa vonë unë po vij edhe po e dijnë që kam ardhur. E ndalshin telefonin mos me komuniku ky me të”, ka thënë Myrvete Hoti-Kasumi, motra e Ukshin Hotit.
Myrvetja tregon se Ukshini ishte në dijeni se ishte bërë halë në sy serbët, por prap nuk u zbraps. Kjo edhe në kohën sa ishte në burg e torturohej vazhdimisht.
“Sidomos në burgun e Nishit, kur u ndajshim unë e kthejsha kokën mbrapa deri sa u largojke ai. Ma pati tërhequr vërejtjen më tha mos të shoh më kurrë që ti po mërzitesh, më tha përkundrazi ti duhesh me qenë krenare”, ka thënë ai.
Intelektuali më i guximshmi e më i ngrituri i kohës, as për të tretën herë i burgosur, nuk ndryshoi qëndrimet që për atë kohë ishin të papërshtatshme për regjimin në Beograd.
Burgimin pesë vjeçar në qelitë e Dubravës, për mendimet dhe qëndrimin për Kosovën shtet e përfundoi, por nuk u pa më i gjallë. Ukshin Hoti u lirua ditën e dielë, siç nuk ndodhë me asnjë të burgosur. Për herë të fundit shokët e burgut e panë të dilte nga Dubrava më 16 maj 1999.
Edhe familja e kishte takuar pak muaj para kësaj date, ndërsa në kërkim të tij janë tash e 24 vjet.
“Një serbe për gati tri vite ka komunikuar me mua, tash nuk e di të vërtetën, se me i besu nuk mundem. Ajo ka thënë se ka qenë e shërbimit sekret ushtarak. Unë ia kam dhënë 15 mijë marka edhe ato a e di pse, jo pse i kam besu por me e pastru ndërgjegjen time (sqarim: shuma e parave ësshë dhënë në këmbin të informacioneve për Ukshin Hotin)”, ka thënë Myrvete Hoti-Kasumi.
As ky rrëfim i kësaj serbe nuk e ka zbehur vullnetin e besimin e motrës Myrvetes se një ditë do ta takojë të gjallë, vëallin, Ukshinin.
“Nuk mundem me marr me mend që ai mundet me qenë i vrarë, shpirti jem nuk e pranon. Se mundohen me më bind që me e pranu që mund të jetë i vrarë, shpirti nuk e pranon. Menjëherë gjendja ime shpirtërore ndryshon”, ka deklaruar ajo.
Fatin e Ukshin Hotit e ndajnë edhe 1617 persona, për fatin e të cilëve që nga lufta e fundit. Ngjashëm me Myrveten, motra nëna, baballarë e vëllezër për çdo ditë zgjodhen me shpresën se do të marrin ndonjë lajm për më të dashurit.