Eksperti i sigurisë nga Instituti për Studime të Luftës Hibride Octopus, Agim Musliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në veri të Kosovës, duke theksuar se strategjia e Aleksandar Vuçiqit dhe Listës Serbe ka dështuar.
Në një postim në Facebook, Musliu ka kujtuar se dy vitet e fundit Vuçiq dhe Lista Serbe “shpenzuan mund e energji duke bllokuar institucionet në veri të Kosovës, duke iu ankuar dhe ushtruar presion ndaj vendeve të QUINT-it me narrativën se Kosova duhet të lëshojë pe”.
Sipas tij, kjo ishte vetëm “një përpjekje e dështuar për ta paraqitur veten si ‘mbrojtës’ të serbëve të Kosovës” dhe një humbje kohe për partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka vënë në dukje se sot i njëjti Vuçiq e rikthen Listën Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit, duke e “legalizuar gjendjen që vetë e krijoi me bojkot”.
“Ky është Vuçiqi: fillimisht i nxjerr serbët nga institucionet, më pas i kthen aty, duke përdorur këtë lëvizje si kartë negociuese me SHBA dhe BE”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Eksperti i sigurisë tutje ka theksuar se qëndrimi i qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë ka qenë vendimtar.
”Nuk ranë pre e këtij presioni politik e diplomatik. Rezistuan ndaj lojës së Vuçiqit, duke ruajtur integritetin institucional dhe duke mos lejuar që veriu të përdorej si mjet pazari politik”.
Sipas Musliut, kjo rezistencë i ka pamundësuar Beogradit të fitojë avantazhin e kërkuar në raport me aleatët perëndimorë.